Vendosni fjalën kyçe....

Basha pret delegacionin nga Ukraina në Tiranë: Jemi në mbështetje të popullit ukrainas


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëherësh reporter i Këshillit të Europës për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, u takua me një delegacion nga Ukraina ne përbërje te cilit ishin deputetë, ekspertë të çështjeve politike, opinionistë dhe aktivistë.

Duke shprehur mbështetjen e tij dhe të PD për udhëheqjen dhe popullin e Ukrainës, të cilët vazhdojnë të përballen me guxim heroik me agresorët rusë, Basha tha se përgjegjësia për krimet dhe dëmet e shkaktuara në Ukrainë nga agresioni i paprovokuar i Rusisë, është i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe duhet të paguajë për të.

“Këto janë ditë të errëta jo vetë për Ukrainën por dhe për botën demokratike, e cila po përballet me tentativën e tjetërsimit me luftë të tërësisë teritorale të një shteti sovran e të pavarur.”

Federata Ruse ka detyrimin për të kompensuar Ukrainën, qytetarët, sipërmarrjet dhe qeverinë e saj, për dëmet e shkaktuara nga aktet e paligjshme të Federatës Ruse, tha Basha, sipas të cilit ky është thelbi i rezolutës së propozuar prej tij në Këshillin e Europës dhe që ka një mbështetje të gjerë nga vendet anëtare të kësaj organizate.