Vendosni fjalën kyçe....

Digat, KKDM: Normat e projektimit dhe rehabilitimit nuk rishikohen prej 35 vitesh


Në fund të tetorit pritet që një studim i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha të dalë me një rezultat për gjendjen e digave në vend sa i takon kushteve aktuale të tyre dhe kërkesave të reja për përcaktimin e prurjeve.

Kjo synon që tu japë institucioneve një bazë të re për të hartuar normat e reja të projektimit dhe rehabilitimit ndërkohë që vë theksin tek llogaritja e riskut të ri që këto diga paraqesin për popullatën në bazë të zhvillimit urban poshtë tyre.

“Në mbështetje të ligjit nr.8681. datë 02.11.2000 “Për Projektimin, Ndërtimin, Shfrytëzimin dhe Mirëmbajtjen e Digave dhe Dambave”. Neni4 dhe VKM 147. date 18 03 2000 “Për Miratimin e Rregullores për Sigurinë e Digave dhe të Dambave Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM) në mbledhjen e datës 30.08.2023 mori në shqyrtim çështjen e kritereve kryesore që duhet të merren në konsideratë gjatë llogaritjeve të prurjeve për sistemet e shkarkimit të digave të mëdha sipas numrit të njerëzve që ndodhen në zonat urbane poshtë digave dhe që ndodhen në rrezik nga prurjet e mëdha që shkaktohen nga këto sisteme.

Gjatë diskutimeve anëtarët e KKDM theksuan problematikat që hasen gjatë projektimit të digave dhe rehabilitimit të tyre në lidhje me përcaktimin e kapaciteteve përcjellëse të sistemeve të shkarkimit në funksion të prurjeve të mëdha që mund të vijnë në pellgun ujësjellës të tyre dhe rrezikshmëria prej këtyre prurjeve të njerëzve që ndodhen në zonat urbane poshtë tyre.

Me zhvillimin urban në shumë zona poshtë digave është rritur edhe rreziku i përmbytjeve nga sistemet e shkarkimit të tyre gjatë plotave të mëdha.

Në shumë diga përveç moshës së madhe të tyre dhe mungesës së një mirëmbajtje dhe monitorimi bashkëkohor janë vërejtur edhe probleme të mëdha teknike në të gjithë elementët e tyre të cilat kërkojnë rivlerësim të gjendjes teknike të tyre dhe ripërmasim në funksion të kritereve të reja dhe bashkëkohore për përcaktimin e prurjeve llogaritëse të sistemeve të shkarkimit të këtyre digave si dhe për marrjen e masave përmirësuese në zbutjen e përmbytjeve që mund të ndodhin gjatë këtyre plotave ” thuhet në vendim.

I njëjti nënvizon se aktualisht vazhdon të jenë disa norma të projektimit vetëm për digat ujitjes të miratuara në vitin 1989 të cilat përcaktojnë disa koeficienteve për sigurinë e prurjeve të shkarkimit në funksion të lartësisë së digave dhe vëllimit të ujit në rezervuar dhe nuk marrin fare në konsideratë numrin e njerëzve që ndodhen në zonat urbane poshtë këtyre digave.

Duke u bazuar në rekomandimet e ICOLD si dhe në legjislacionin shqiptar të miratuar në vitin 2000 siguria e digave përbën tërësinë e masave organizative teknike dhe financiare që garantojnë jo vetëm shfrytëzim normal por edhe moscënimin e të tretëve për të cilat diga mund të përbëjë rrezik.

“Anëtarët e KKDM ngritën shqetësimin e rishikimit të këtyre kritereve për llogaritjen e prirjeve dhe përcaktimit të përmasave të sistemimeve të shkarkimit gjatë projektimit dhe rehabilitimit të tyre me synimin e rritjes së sigurisë së digës dhe zbutjen e problematikës në lidhje me zonat poshtë digave të mëdha . Në diskutime u theksua domosdoshmëria e kritereve të reja bashkëkohore bashkuar në eksperiencat e vendeve europiane dhe rekomandimet e ICOLD të dhëna në buletinet përkatëse si dhe studimet e kryera viteve të fundit për rritjen e sigurisë në digat e kaskadave kryesore të vendit si dhe në digat e ujitjes. Kriteret e reja duhet të synojnë jo vetëm zëvendësimin mekanik të kushteve teknike në fuqi të projektimit të cilat nuk janë rishikuar prej 35 vitesh por edhe rritjen e sigurisë së digave në funksion të ndryshimeve klimatike, zhvillimit urban poshtë digave dhe marrjen e masave për mbrojtjen e njerëzve në rrezik që ndodhen në këto zona urbane. Këto kritere të reja teknike duhet të zbatohen në fushën e projektimit rehabilitimit dhe kontrollit të digave të sigurisë” thuhet në dokument.

Në të njëjtën mbledhje Komiteti ka rrëzuar kërkesat për disa rehabilitime në diga të ndryshme ku dokumentacioni i paraqitur nuk ka qenë konform kërkesave që përcakton kuadri ligjor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor