Vendosni fjalën kyçe....

KESH siguron 4.1 milionë euro energji nga blerja e fundit për shtatorin


Korporata Elektronenergjetike Shqiptare ka zhvilluar së fundmi një procedurë për sigurimin e 42 mijë MWh energji për një javë të shtatorit.

Bëhet fjalë për datat 18 deri në 24 shtator ku çmimi mesatar për këtë blerje rezultoi në 98.96 euro/MWh me një total prej 4.15 milionë euro.

Procedurat e fundit të zhvilluara nga KESH sa i takonin blerjes së energjisë i përkasin fundit të korrikut dhe fillimit të gushtit kur u paguan edhe 4 milionë euro të tjera.

Nga fillimi i vitit e deri më tani blerjet e energjisë kanë qenë të pakta sidomos në raport me një vit më parë me një fond që shkon afërsisht në 28 milionë euro.

Situata e favorshme hidrike dhe optimizimi i kaskadës duke alternuar blerjet në periudha të caktuara nga tregu i lirë kanë bërë që KESH të ketë më shumë eksporte energjie që edhe pse në vlerë modeste mbeten më të larta sesa importet, në rreth 36 milionë euro deri në fund të qershorit.

Teksa në 6 muajt e parë të vitit Fierza që është edhe liqeni kryesor në kaskadën e Drinit ka qëndruar mbi nivelet mesatare historike ndryshe nga panorama e një viti më parë duke siguruar kështu plotësimin e konsumit në vend kryesisht nga prodhimi nga tre HEC-et kryesore që menaxhon KESH.

Por hyrja në periudhën e vjershës ku tashmë ende nuk kanë nisur reshjet duket se kanë detyruar kompaninë që të orientohet tek blerjet në tregun e lirë.

Çmimi me të cilin është siguruar energjia është ndjeshëm më i ulët sesa gjatë 2022-it kur kriza e energjisë shënoi kulmin e saj ndërkohë që ato mbeten të luhatshme dhe mbi mesataren historike të kësaj periudhe para nisjes së krizës.

Në Bursën Hungareze çmimet e energjisë në bazë ishin në 95.56 euro/MWH dhe 93.69 euro/MWH në pik.

Kryesisht në këtë bursë çmimet janë luhatur mes 80 euro MWH dhe 150 euro MWh gjatë kësaj periudhe duke sinjalizuar për një situatë më të favorshme por që sërish sipas ekonomistëve sa i takon krizës mund të sjellë rritje me nisjen e të ftohtit dhe rritjes së kërkesës nga vendet europiane.

Për aq kohë sa lufta Rusi-Ukrainë mbetet ende aktive dhe pasiguria e gazit është prezente çmimet e energjisë duket se mbeten të pastabilizuara ndërkohë që kërkesa është një tjetër element që ndryshon vazhdimisht.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor