“Nauseda ndoshta është takuar me të dy presidentët veç e veç, por nuk ka pasur as një takim zyrtar dypalësh me Zelenskyn”, tha sekretari i shtypit presidencial ukrainas Sergii Nykyforov.
Mediat lituaneze raportuan më herët se Nauseda tha se mosmarrëveshjet midis Ukrainës dhe Polonisë duhet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Dallimet midis Ukrainës dhe Polonisë duhet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur për shkak të qëllimit të përbashkët, më të rëndësishëm – mbrojtjes së Evropës kundër politikës agresive ekspansioniste të Rusisë,” citoi transmetuesi lituanez.
Nauseda ia ka shprehur qëndrimin e tij Dudës dhe Zelenskit. Nga raportimet e mediave lituaneze nuk është e qartë nëse ishte një takim i përbashkët apo një dialog i veçantë.
Sipas presidentit lituanez, roli i Polonisë në mbështetjen e Ukrainës është i jashtëzakonshëm dhe duhet gjetur zgjidhje, sepse thellimi i mëtejshëm i krizës do të ishte i papërgjegjshëm. Nauseda theksoi rëndësinë e të kuptuarit se nuk ka të bëjë me sigurinë e vendeve individuale, por të të gjithë rajonit dhe madje edhe të kontinentit.
“Siç tregon historia, vetëm me përpjekje të përbashkëta, duke mbështetur dhe ndihmuar njëri-tjetrin mund t’i kundërvihemi rrezikut të kërcënimeve të jashtme. Ndërkohë, mosmarrëveshjet publike, pavarësisht nga arsyet, jo vetëm që cenojnë unitetin, por ndihmojnë edhe propagandën e armikut”, tha ai.
Në maj të vitit 2023, Komisioni Evropian ndaloi importin e grurit, misrit, farave të rapit dhe lulediellit nga Ukraina në Bullgari, Hungari, Poloni, Sllovaki dhe Rumani me insistimin e këtyre vendeve. Më 5 qershor, ndalimi u zgjat deri më 15 shtator 2023.
Komisioni Evropian njoftoi më 15 shtator se BE-ja nuk do të zgjasë kufizimet e përkohshme për grurin ukrainas. Pas kësaj, Polonia, Hungaria dhe Sllovakia njoftuan vendimin e tyre për të bllokuar në mënyrë të njëanshme importin e produkteve bujqësore ukrainase dhe ndaluan pjesëmarrjen në një platformë koordinimi, e cila u krijua nën kujdesin e Komisionit Evropian për të zgjidhur këtë çështje.