Vendosni fjalën kyçe....

Rupert Murdoch largohet nga drejtimi i Fox, menaxhimi i kalon djalit të tij


Rupert Murdoch, manjati 92-vjeçar i medias që krijoi kanalin televiziv Fox News, po largohet nga drejtimi i kompanisë Fox, pjesë e së cilit është Fox News, ashtu si edhe nga konglomerati i mediave News Corp.

Kompania Fox tha të enjten se zoti Murdoch do të bëhet president nderi i të dy kompanive. Djali i tij, Lachlan, do të bëhet kreu i News Corp. dhe do të vazhdojë të jetë shefi ekzekutiv i Fox Corp.

“Ne jemi mirënjohës që ai do të shërbejë si president nderi dhe e dimë se do të vazhdojë të ofrojë këshilla të vlefshme për të dy kompanitë”, u shpreh Lachlan Murdoch.

Përveç kanalit Fox News, zoti Murdoch themeloi rrjetin e transmetimit Fox, i pari që sfidoi me sukses tre rivalët e mëdhenj ABC, CBS dhe NBC. Ai është pronar i gazetave Wall Street Journal dhe New York Post.

Rupert Murdoch është një nga figurat konservatore më me pushtet dhe Fox News ka ndikuar thellësisht tek bota televizive dhe politike e Shteteve të Bashkuara që kur u hap në vitin 1996.

Në një letër drejtuar punonjësve, zoti Murdoch premtoi se do të vazhdojë të luajë rol në kompaninë Fox.

“Në rolin tim të ri, mund t’ju garantoj se do të angazhohem çdo ditë në garën e ideve”, shprehet Murdoch.

“Kompanitë tona janë komunitete dhe unë do të jem një anëtar aktiv i komunitetit tonë. Unë do t’i ndjek transmetimet tona me një sy kritik, dhe do t’i lexoj gazetat, faqet e internetit dhe librat tanë me shumë interes”, vazhdon letra.

Nuk ka patur ndonjë njoftim deri tani se pse zoti Murdoch e mori këtë vendim në këtë moment.

Dorëheqja e tij vjen në një kohë kur biografi i zotit Murdoch, Michael Wolff, po boton një libër, “Fundi i Fox News”, ku ai bën parashikime se çfarë do të ndodhë me rrjetin kur patriarku të largohet nga drejtimi i tij.