Ligji që i hapte rrugën rritjes së pagave për gjyqtarët e Gjykatës Kushtuese nuk ka gjetur konsensusin e opozitës në Kuvend duke bërë që të mos miratohen propozimet e shumicës qeverisëse.
Deputetët e opozitës kërkuan sot në Kuvend shtyrjen e shqyrtimit të shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku sqaroi se nuk kërkohet thjesht shtyrja e ligjit me një javë, por që ligji të jetë brenda parimeve të sistemit duke ruajtur hierarkinë.
“Këtu z Çuçi nuk është në seancë por unë doja të diskutoja dhe të prekja një temë që është më e rëndësishme se sa biletat e kombëtares. Kjo lidhet me gjykatën kushtetuese, sot në rendin e ditës është një projektligj që ka ardhur nga Ministria e Drejtësisë, në lidhje me pagat e Gjykatës Kushtetuese. Një temë që është diskutuar dhe debatuar gjatë nga ana jonë dhe kemi dhënë edhe ne mendimet tona.
Së pari, Gjykata Kushtetuese duhet t’i çonte kërkesat e saj në Kuvend që të diskutoheshin si pjesë e një pakete për reformën në drejtësi që po diskutohet. Një diskutim për ndryshimet që po i bëhen reformës në drejtësi, pikërisht ky hap i anashkaluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese krijon një problem në procedurë sipas nesh.
Përpos kësaj ne duhet të kemi parasysh që qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një reformë tërësore në sistemin e pagave të gjyqësorit. Duhet të shohë dhe gjykatën speciale që ka një volum të rritur pune. Duhet të shohë të gjithë sistemin e pagave në sistemin e drejtësisë.
Besoj që flas dhe në emër të kolegëve të PD nëse do e shohim të gjithë tërësore dhe të flasim edhe vendosim mbi parimet. Dhe nuk do merreshim me një nga elementët e sistemit të drejtësisë, pra GJK.
Pra shpresoj që të kemi një dakordësi nga kolegët e mazhorancës, që të tërhiqet ligji sot dhe t’i ushtrohet procedurës parlamentare dhe t’i shkojë komisionit të ndryshimeve të ligjeve të reformës në drejtësi për të parë mundësinë për një reformë tërësore të sistemit të pagave. Duke i dhënë dinjitet sistemit dhe nuk cenon parimet të cilat është rënë dakord kur është miratuar reforma në drejtësi”, propozoi Tabaku.
“Unë lutem që kolegët e kësaj salle t’i shohin këto çështje jo me partitizëm por me parimin se si është ideuar dhe votuar reforma në drejtësi. Parime si pavarësia e pushteteve, barazia e tyre dhe kontrolli i pushteteve. Për këtë arsye unë shpresoj që ne të bëjmë një diskutim në komisionin e posaçëm të diskutimeve për ndryshimet e disa ligjeve të reformës që është ngritur në komisionin e ligjeve. Që edhe PD të ketë mundësi për ta diskutuar të cilët nuk kanë kundërshtim për të rritur pagat në gjithë hierarkinë, por edhe strukturës që të krijojë një filozofi të qartë pagash. Një propozim konstruktiv që na shërben edhe neve sikundër dhe ju. Për të mos e ndarë çështjen e drejtësisë me thikë të një pale apo një pale tjetër”, theksoi deputetja e PD.
Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi argumentoi se “Gjykata Kushtetuese nuk ka depozituar në Kuvend asnjë propozim për rritje të pagave”.
“Nuk jemi kundër asnjë ligji që rrit eficencën, përkundrazi jemi në grup pune ku po punojmë prej disa muajsh në një paketë ndryshimesh në ligjet e reformës në drejtësi, në bashkëpunim me partnerët. Ne kemi rënë dakord që nuk do të pranojmë asnjë ndryshim që kërkohet për privilegje apo përfitime shtesë të gjyqtarëve apo prokurorëve, por do të fokusohemi te eficenca”, tha ai.
Sipas tij, “ky nuk është sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese, por tentativë e qartë ku qeveria do t’i bëjë një favor Gjykatës Kushtetuese për ta pasur tërësisht në kontroll”.
Nga ana e tij, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Toni Gogu u shpreh se PS është dakord për ta shtyrë këtë projektligj për një seancë tjetër, ndërsa informoi se Gjykata Kushtetuese e ka sjellë projektin në Kuvend në 21 qershor.
“E përshëndes propozimin tuaj. Jam plotësisht dakord që ta shtyjmë, por janë ca të vërteta që duhen thënë dhe nuk ka nevojë t’i shtrembëroni”, tha Gogu.
“Gjykata Kushtetuese ka ndjekur procedurën ndaj ne sot e sjellim këtë propozim, por jemi plotësisht dakord ta shtyjmë në një seancë tjetër. Gjykata Kushtetuese e ka bërë këtë gjë kur ne miratuam ligjin për pagat. Gjyqtarët kushtetues gjithmonë kanë qenë më të mirëpaguarit për shkak të punës, sepse garantojnë sundimin e ligjit në këtë vend. Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë e sistemit gjyqësor, këtë e dinë jashtëzakonisht mirë deputetët e opozitës sepse siguron që të drejtat e njeriut dhe procesi i rregullt ligjor të respektohen siç thotë Kushtetuta”, tha ai.
Gogu theksoi se PS është plotësisht dakord që ta shtyjë shqyrtimin e projektligjit. “Urojmë që të reflektojnë edhe kolegët për të mos hedhur baltë mbi institucionet kushtetuese të vendit që kontrollojnë dhe vendimet tona”, tha ai.
“Gjyqtarët kushtetues kanë qenë gjithmonë më të mirëpaguarit. Le të rregullojmë padrejtësinë në zemër të sistemit të drejtësisë. Nuk mund t’i mbani peng duke ju ulur pagat dhe bërë pazar me ta. Nuk mund të hidhni molotov në Gjykatë Kushtetuese se ka ikur ajo kohë”, iu drejtua ai deputetëve të opozitës.