Vendosni fjalën kyçe....

Censi i popullsisë për përkatësinë fetare nxit debate, këndvështrimet e përfaqësuesve të komuniteteve fetare


Censi i popullsisë i nisur nga INSTAT ka sjellë debat sidomos për çështjen e deklarimit të përkatësisë fetare.

Menjëherë pas njoftimit të daljes në terren të grupeve të punës për regjistrimin e popullsisë, Komunitetet Fetare kanë bërë thirrje për deklarimin e përkatësisë fetare nga ana e popullatës.

At Grigor Palushi shprehet i pakënaqur mbi faktin që shqiptarët nuk do të jenë të detyruar t’i përgjigjen pyetjes së drejtimit të besimit që kanë.

Ajo do duhej të ishte krejt natyrshëm si pyetjet e tjera. Siç kanë detyrimin për t’u përgjigjur pyetjeve të tjera, duhet edhe të përgjigjemi për identitetin fetar. Ne e kërkuam por askush nuk na dëgjoi”, shprehet At Grigor Palushi për A2 CNN.

Gjetjet e Cens të cilat pritet të publikohen nga Instituti i Statistikave mesin e vitit të ardhshëm për Imamin Ahmed Kalaja nuk do të ndryshojnë vetëm politikat qeveritare, por edhe vetë aktivitetin e komuniteteve fetare.

“Do të ketë një ristrukturim. Nuk ka kuptim që të ketë përfaqësi fetare aty ku nuk ka besimtarë të asaj feje”, thotë Imami i Xhamisë “Dine Hoxha”, Ahmed Kalaja.

Ndërsa Zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja parashikon një rezultat në përgjigje jo fort të kënaqshëm për pyetjen, “Sa shqiptarë kemi mbetur?”

“Duke u bazuar te ato që kemi pare këto vite që Censi është kryer, nëse procesi do të jetë i rregullt do të shohim që numri i atyre që jetojnë në Shqipëri do të jetë shumë pak”, thekson zëdhënësi i Konferencës Ipeshkvore Katolike të Shqipërisë, Dom Mark Pashkja.

Përfaqësuesi i Ungjillorëve në Shqipërisë, Paulin Vilajeti, duke folur për pretendimet e besimeve të ndryshme fetare për ndjekësit e tyre deklaroi se në të gjithë Shqipërinë janë praktikantë 4-5 përqind e popullsisë.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Taulant Bica u shpreh se, sipas censit të fundit të vitit 2011, rezulton që është rreth 56 për qind e popullsisë ishte e besimit islam, por, sipas tij, censusi nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë për KMSH-në.

Ndërsa zëdhënësi i Kishës Katolike, Mark Pashkja u shpreh se nuk kërkojnë sa më shumë besimtarë, por cilësisht, që të krishterët katolikë të jenë besimtarë të angazhuar, jo automatikisht praktikantë.

Paulin Vilajeti: “Ka ardhur koha që çdo praktikant në Shqipëri duhet ta shprehë besimin e tij haptas dhe pa frikë. Në censusin e fundit ka qenë një problem shumë i madh që po e hasim edhe tani, dje kanë qenë te shtëpia e ime dhe te e jotja. Gjejnë një person në shtëpi dhe ai jep për të gjithë familjen. Mund të shkojë te shtëpia e babait tim dhe ai mund ta deklarojë si të dojë. Ky është një census që nuk është serioz.

Mendimi im bujar, duke futur të gjitha besimet, mendoj se në të gjithë Shqipërinë janë praktikantë 4-5 përqind e popullsisë. Nëse në kishën time ku unë jam pastor më vijnë njerëzit vetëm për kreshmë dhe pashkë, unë nuk i quaj praktikantë. Unë quaj praktikant një njeri që është i dedikuar ndaj kishës”.

Përfaqësuesit e komuniteteve kryesore fetare në vend vlerësojnë se përfshirja e qytetarëve në dhënien e sakta të përgjigjeve të qytetarëve do t’i bëjë mirë atyre në rrafshin socio-ekonomik, por edhe në atë fetar.