Policia ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë pasi akuzohen se mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive.
Të katërt të akuzuarit rezulojnë pjesëtarë të një subjekti “call center”.
Policia ka sekuestruar 68 000 euro, njësi kompjuterike, celularë, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Momentum”.
Si rezultat i këtij operacioni:
– u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. K., 27 vjeç, dhe M. K., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë;
– u shpallën në kërkim shtetasit J. K., 51 vjeçe, dhe E. K., 32 vjeç.
Këta 4 shtetas kishin në administrim një call center në Rrugën e Zallit, në të cilin ishin të punësuar rreth 60 punonjës, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 68 000 euro, njësi kompjuterike, aparate celulare, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale“-njofton policia.