Një burrë nga Maryland, i cili ka punuar si kontraktor për Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Drejtësisë, po përballet me një akuzë spiunazhi pasi dyshohet se ka përdorur lejen e tij ‘tepër sekrete’ të sigurisë për t’i dërguar informacione një zyrtari të inteligjencës së huaj.
Departamenti i Drejtësisë njoftoi të enjten se Abraham Lemma, një shtetas 50-vjeçar amerikan i natyralizuar me origjinë etiopiane që jeton në Silver Spring, është akuzuar për shkak të veprimeve të tij të supozuara gjatë kohës që punonte si administrator i IT-së dhe analist i menaxhimit të Departamentit të Shtetit për Departamentin e Drejtësisë.
“Në këto komunikime, Lemma shprehu interesin dhe vullnetin për të ndihmuar zyrtarin e huaj në dhënien e informacionit”, tha Departamenti i Drejtësisë në një deklaratë.
“Në një komunikim, zyrtari i huaj deklaroi, ‘është koha për të vijuar bashëkpunimin’. Lema u përgjigj: “E kuptova qartë.”
Lemma akuzohet se ka përdorur një aplikacion të koduar për t’i dërguar informacione sekrete të mbrojtjes kombëtare një zyrtari të një shërbimi të huaj inteligjence. Vendi në fjalë nuk përmendej në dokumentet e gjykatës, por Washington Post raportoi se ishte Etiopia. Departamenti i Drejtësisë vuri në dukje se Lemma është me origjinë etiopiane.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se midis 19 dhjetorit 2022 dhe 7 gushtit 2023, ‘Lemma kopjoi informacionin sekret nga raportet e Inteligjencës dhe fshiu shenjat që i klasifikonin ato si sekret’, më pas mori materialet, të cilat ishin klasifikuar si ‘tejet sekret’ dhe ‘sekret’, nga siguria e Departamentit të Shtetit.
“Materialet kanë të bëjnë me një vend dhe/ose rajon gjeografik të caktuar. Lemma ka pasur qasje, ka kopjuar, hequr dhe ruajtur këtë informacion pa autorizim,” tha Departamenti i Drejtësisë.
Prokurorët thonë se Lemma-s iu dha një leje sigurie ‘tepër sekret’ dhe iu dha qasje në sistemet e klasifikuara si pjesë e punës së tij.
Ai është akuzuar për mbledhjen ose dhënien e informacionit të mbrojtjes kombëtare për të ndihmuar një qeveri të huaj, komplot për të mbledhur ose shpërndarë informacionin e mbrojtjes kombëtare për të ndihmuar një qeveri të huaj dhe për zotërim të paautorizuar të informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe mbajtjen e tyre me dashje.
Departamenti i Drejtësisë thotë se akuzat për spiunazh mbartin ‘një dënim të mundshëm me vdekje ose nga disa vite burg deri në burg përjetë’.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Fox
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani