Numri i fermerëve në skemën e sigurimeve shoqërore u rrit me 24% në 6 muajt e parë të vitit 2023, duke shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes që nga viti 2015.
Të dhënat zyrtare nga sigurimet shoqërore tregojnë se 81,648 fermerë paguan sigurime shoqërore në janar-qershor nga rreth 62 mijë që ishin në fund të vitit 2022.
Nga sigurimet e fermerëve u arkëtuan në të njëjtën periudhë 1,4 miliardë lekë, ose rreth 3000 lekë për fermer kontribuues, nga 1.1 miliardë lekë që u arkëtuan në të njëjtën periudhë të 2022.
Kontributet e fermerëve paguhen nga një dysheme që shkon 3200 lekë për zonat fushore dhe 2450 lekë për zonat malore.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se më 2023, rreth 77.5% e kontribuuesve ishin nga zonat fushore dhe rreth 23% nga zonat malore. Pesha e kontribuuesve nga zonat fushore është zgjeruar më tej gjatë vitit 2023, duke vërtetuar se produktiviteti është më i lartë në këto zona.
Gjithnjë e më shumë fermerë po formalizohen dhe po pajisen me NIPT. Deri më 20 shtator 2023, më shumë se 96 mijë fermerë ishin të pajisur me NIPT, por nuk detyrohen të paguajnë kontribute.
Rritja e kontribuuesve po vjen si pasojë e tranzicionit të bujqësisë nga vetëkonsumi në biznese të organizuara për eksport. Zinxhiri i bizneseve që lidhet me bujqësisë sidomos grumbullimi dhe magazinimi po zgjerohen, duke rritur edhe numrin e punonjësve më sigurime.
Të dhënat tregojnë se numri më i lartë i kontribuuesve fermerë në 6-mujorin e parë ishte në Fier, Elbasan, Vlorë, Tiranë dhe Berat dhe më i ulëti ishte në qarqet e Kukësit dhe Durrësit.
Në vitin 2013 numëroheshin mbi 64 mijë kontribuues ruralë në skemën e pensioneve, teksa ky numër u dyfishua më 2014 në 127 mijë, për shkak të një amnistie që u aplikua mbi gjobat për sigurimet e papaguara.
Më pas, në vitin 2015, numëroheshin 89 mijë fermerë që paguanin sigurime, ndërsa më 2017, 58 mijë fermerë në skemë me një rritje graduale deri në vitin 2020, kur për shkak të pandemisë kontribuuesit ranë në 46.7 mijë, për të arritur në rreth 82 mijë në 6-mujorin e parë 2023.
Por numri i kontribuuesve në bujqësi është ende i ulët në raport me të punësuarit në këtë sektor pasi sipas Anketës së Forcës së punës janë rreth 450 mijë.
Rezultati financiar i degës së pensionit të fshatit mbetet problematik, për shkak të numrit të vogël të të siguruarve në bujqësi dhe shpenzimet të larta për përfitime./B.Hoxha
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor