Vendosni fjalën kyçe....

Senatori amerikan Bob Menendez e bashkëshortja e tij akuzohen për ryshfet


Senatori demokrat i Nju Xhersit, Bob Menendez, u akuzua për vepra të lidhura me korrupsionin për herë të dytë në 10 vjet.

Menendez dhe gruaja e tij, Nadine Arslanian Menendez, u paditën për ryshfet ‘në lidhje me marrëdhëniet e tyre korruptive me tre biznesmenë të Nju Xhersit’, shkroi në Twitter prokurori i Nju Jork.

Prokurorët kanë hetuar nëse Menendez, kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, ose gruaja e tij kanë marrë dhurata të papërshtatshme, ndër të tjera.

Menendez ka mohuar fuqishëm çdo keqbërje. Në prill, ai i tha CNN: “Ky hetim do përfundojë, besoj, se nuk do nxjerrë absolutisht në asgjë.”

Ky është grupi i dytë i akuzave për korrupsion të ngritura kundër Menendez nga Departamenti i Drejtësisë në një dekadë. Ai më parë është përballur me auza për komplot, ryshfet dhe mashtrim në lidhje me favore të supozuara personale.

Zyra e Prokurorit të SHBA-së në Manhatan ka caktuar një konferencë shtypi për të premten për të diskutuar mbi aktakuzën, e cila akuzon gjithashtu tre biznesmenët: Wael Hana, Jose Uribe dhe Fred Daibes.

Aktakuza thotë se demokrati Menendez dhe gruaja e tij që prej vitit 2018 deri në 2022 pranuan ‘qindra mijëra dollarë ryshfet në këmbim të përdorimit të pushtetit dhe ndikimit të Menendez si senator’, nga e cila përfituan tre biznesmenët.

“Këto ryshfete përfshinin para, ar, pagesa për një hipotekë në shtëpi, kompensim për një punë, një automjet luksoz dhe gjëra të tjera me vlerë,” sipas aktakuzës së lëshuar nga një juri e madhe në gjykatën federale të Manhatanit.

Aktakuza thotë se gjatë një bastisjeje të qershorit 2022 në shtëpinë e çiftit Menendez në Nju Xhersi dhe një kasafortë, agjentët federalë gjetën para, ar dhe një ‘makinë luksoze që ishin frytet e marrëveshjes korruptive të çiftit’.

“Mbi 480,000 dollarë para, pjesa më e madhe e tyre e futur në zarfe dhe e fshehur në veshje, dollapë dhe një kasafortë, u zbuluan në shtëpi, së bashku me mbi 70,000 dollarë në kasafortën e Nadine Menendez”, thuhet në aktakuzë.

“Disa nga zarfet përmbanin gjurmët e gishtërinjve dhe/ose ADN-në e Daibes ose shoferit të tij”, thuhej në dokumentin e tarifimit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN dhe CNBC

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani