Presidenti Begaj ka komentuar nga SHBA-ja çështjen e arrestimit të Fredi Belerit duke thënë se drejtësia duhet lënë të bëjë punën e vet.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës kreu i shtetit tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë strategjike dhe se çështja e Belerit nuk është në dorën e tij, po të drejtësisë.
Begaj tha gjatë intervistës se pas reformës, drejtësia është e pavarur dhe në rrugën e duhur.
“Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë marrëdhëniet e një partneriteti strategjik, bazohen në vlerat më të mira të fqinjësisë dhe respektit mes njeri-tjetrin. E kam pritur në zyrën time kryeministrin e Greqisë, kemi diskutuar për çështje të reja dhe të vjetra. Kjo çështje nuk është në dorën e presidentit, ka lidhje me drejtësinë. Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Mendoj se drejtësia pas reformës së bërë me konsensus politik është në rrugën e duhur dhe është e pavarur.” – tha Begaj.
Presidenti sqaroi edhe çështjen e marrëveshjes së detit me Greqinë. Ai tha se nëse ka diçka që nuk shkon palët kanë rënë dakord për dërgimin e çështjes në Hagë dhe ministria e Jashtme ka kërkuar autorizimin për nisjen e negociatave, ndërsa pohoi se po e shqyrton kërkesën.
“Vlerësimi i kërkesës së bërë nga ministria e Jashtme nuk është çështje kohe, por duhet bazuar tek disa kërkesa ligjore dhe kushtetuese që duhet të mbajë kërkesa në fjale. Presidenti e ka detyrim kushtetues për çdo negociatë dhe marrëveshje ndërkombëtare. Kur unë të bëj vendimmarrjen e duhur do t’ju bëj me dije publikut dhe ju. Po ne kemi ngritur një grup ekspertësh që po shikojnë dhe ndërveprojnë për të arritur në një version të autorizimit në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.” – tha Begaj.