Në raundin e parë të regjistrimeve në universitete i cili përfundoi më 11 shtator, ku pati 19 612 aplikime, më shumë se 70% prej tyre e kanë bërë zgjedhjen për profesionin e së ardhmes.
Ndërsa një mundësi e dytë aplikimi ishte edhe raundi tjetër nga 15 shtatori deri në 17 shtator ku pas të cilit do të mësohet edhe numri i saktë i studentëve për vitin e ri akademik që nis më 2 tetor.
Por ka një sërë treguesish që tregojnë se trendi i rënies së numrit të të rinjve vazhdon.
Treguesi kryesor është se nga rreth 30 mijë maturantë, 1/3 e tyre kanë aplikuar për studimet e larta jashtë vendit, ose kanë zgjedhur të mos vazhdojnë universitetin.
Tkurrja e studentëve mbarë vendit reflektohet edhe te ulja e kuotave të lira në institucionet e arsimit të lartë. Teksa janë plotësuar vendet në mjekësinë e përgjithshme dhe arkitekturë, universitetet rajonale po vuajnë mungesën e të rinjve ku dhjetëra degë kanë zero studentë të regjistruar, sidomos ato programe studimi që të çojnë drejt mësuesisë, apo që lidhen me bujqësinë si dhe të rrezikuara janë shkencat sociale.
Në një krahasim të kuotave të këtij viti me ato të vitit 2022, ku rezulton se në institucionet e arsimit të lartë në rrethe përgjithësisht vendet në auditorë për vitin e parë janë ulur me rreth 300 kuota.
Në Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Durrës dhe Vlorë ka degë që mund të mos hapen këtë vit.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” këtë vit ka më pak studentë, ndërsa në fund të muajit do të mësohet nëse do të mbyllet ndonjë degë studimi.
Në Universitetin e Elbasanit, “Aleksander Xhuvani” janë mbyllur tre degë dhe numri i studentëve në degët e tjera është shumë i ulët.
Nga ana tjetër në Universitetin e Korçës, “Fan S Noli” gjashtë degë janë në rrezik, pasi kanë vetëm nga një student të ri të regjistruar.
Në universitetin e Durrësit, “Aleksander Moisiu” rrezikohen mbyllja e degëve të historisë dhe filozofisë, pasi deri më tani nuk ka regjistrime.
Në Gjirokastër, Universiteti “Eqrem Çabej” ka më pak studentë dhe interesi është ulur këtë vit.
Ndërsa këtij fenomeni ku aplikimet kanë qenë më pak se vende në dispozicion, që si rrjedhojë e bën më të lehtë rrugën për të fituar të drejtën për në universitet, nuk i ka shpëtuar as Universiteti i Tiranës. Ky universitet pavarësisht se mbetet më i preferuar, sërish është prekur nga tkurrja e vendeve të lira për aplikime.
Kryesisht këtë e ndjen Fakulteti i Shkencave të Natyrës, ku për shembull më konkretisht dega e kimisë në 2022 ka pasur 100 vende, këtë vit kuotat ishin 58, por në raundin e parë u regjistruan vetëm 4 studentë, e 54 vende mbeten bosh për raundin e dytë.
Kriteri për të mbajtur hapur një program studimi është të ketë të regjistruar të paktën 10 studentë, ndaj shqetësuese është interesi i paktë i të rinjve ndaj degëve me prioritet kombëtar. 2023-shi e gjen Universitetin e Tiranës me 666 vende më pak për maturantët, krahasuar me vitin e shkuar ku kishte 4907 kuota për vitin e parë Bachelor, por që prej tyre mbetën të paplotësuara 1914 kuota.
Ndaj kur vjet jo të gjitha vendet e lira u ezauruan nga të rinjtë, ky është sinjali që edhe panorama e këtij viti akademik nuk është shpresëdhënëse për numrin e studentëve.