Vendosni fjalën kyçe....

McGonigal pranoi fajësinë, opozita kërkon përgjegjësi penale për Ramën


Pranimi i fajësisë nga ana e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal lidhur me akuzat për pranimin e një shume parash nga ish-punonjësi i shërbimit informativ shqiptar ka sjellë reagimin e drejtuesve të opozitës në Shqipëri.

Sali Berisha dhe Ilir Meta në reagimet e tyre kanë kërkuar që të mbahet përgjegjës edhe kryeministri Edi Rama për shkak të takimeve që ka zhvilluar me McGonigal.

McGonigal pranoi përfundimisht fajësinë e tij për të gjitha akuzat lidhur me Shqipërinë në Gjykatën Federale të Uashingtonit.

Ai pranoi të gjitha faktet e Prokurorisë, përfshirë edhe takimet e paligjshme me Kryeministrin Rama.

U vërtetuan nga prokurorët dhe u pranuan nga McGonigal pagesat e paligjshme dhe korruptive për qellime politike dhe financiare në këmbim të goditjes mafioze të opozitës duke keqpërdorur një zyrtar të lartë të FBI.

Pranimi i fajësisë nga McGonigal provoi përgjegjësitë penale që rëndojnë mbi Kryeministrin dhe detyrimin e drejtësisë shqiptare për të mbrojtur ligjshmërinë dhe interesin e lartë publik.

Përdorimi i zyrës së Kryeministrit për të asgjesuar pluralizmin politik në vend është shërbimi më i madh që i bëhet paligjshmërisë dhe veprimtarisë mafioze dhe kriminale”-shkruan Meta.

Nga ana tjetër Berisha parashikon se në shkurt do shkojë në burg së bashku me McGonigal edhe kryeministri Rama.

“Bashkëfajtorë! Ndajnë fatin, e meritojnë!

Në shkurt të dy në burg.

Të dashur miq, dje McGonigal pranoi të gjitha akuzat penale për veprat penale të kryera në bashkëpunim direkt me Edi Ramën, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën në Shqipëri. Në shkurt gjykatësja në rast se pranon marrëveshjen jep vendimin deri në 5 vjet burg. Kurse për Edi Ramën, Duçkën dhe Nezën sipas avokatëve amerikanë nuk do ketë marrëveshje, por dënimet do shkojnë nga 7 deri në 15 vite! Prandaj Edi Ramës iu duk salla e KS si rreth i ferrit!”-shkruan Berisha.

Basha ndër të tjera e sheh pranimin e fajësisë nga McGonigal si zbardhje e të vërtetës për akuzat e hedhura ndaj tij si i marrë peng për shkak të dosjes për financime ruse në PD dhe ndërhyrjen e Ramës nëpërmjet McGonigal.

Të vërtetën nuk mund ta ndalë askush, sado të vonojë, sado të investohet kundër saj, sado baltë të hidhet për ta mbuluar.

Mbi të gjitha, kjo e vërtetë është shpagim për demokratët që u vunë nën sulme për t’u bërë pis e për t’u dëmtuar jo vetëm nga Edi Rama, por edhe nga Sali Berisha”-shkruan Basha.