Vendosni fjalën kyçe....

Pak orë para zgjedhjeve në Kukës, kandidati i “BF” denoncon Gjykatën: Kanë shtuar në listë votimi disa të burgosur


Pak orë para zgjedhjeve të 24 shtatorit për bashkinë e Kukësit, kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata, në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar Gjykatën e Kukësit të përdorë çdo mjet për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve.

Sipas tij Gjykata e Kukësit ka marrë vendim që të shtojë në listën e votuesve të IEVP Kukës, 15 të dënuar, duke u dhënë atyre të drejtë për të votuar, edhe pse nuk e kanë vendbanimin në Bashkinë Kukës, dhe vendimi për t’u shtuar në listë është marrë pasi është shpallur lista finale e votuesve në Bashkinë Kukës.

 

Deklarata e plotë:

Vendimi është marrë qëllimshëm me kaq vonesë, për të mos i lënë mundësi përfaqësuesve të opozitës që të ndjekin procedurat e ankimimit.

Sipas legjislacionit dhe jurisprudencës në fuqi, të burgosurit, që vendbanimin nuk e kanë në bashkinë ku vuajnë dëninimin, nuk votojnë dot për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të asaj bashkie, nëse nuk kanë qëndruar në burg për minimum 3 muaj. Ata kanë të drejtë të votojnë vetëm për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Gjykata e Kukësit dhe gjyqtarja që ka guxuar të shkelë ligjin, me vendimet a tyre anti-ligjore, kanë dhënë provën publike të kapjes së tyre nga Edi Rama dhe Rilindja.

Qëllimi është i qartë: Manipulimi i Votës!

Ndaj shkëlësve të ligjit dhe dhunuesve të votës së qytetarëve, ne do t’i drejtohemi zyrtarisht misionit të OSBE/ODIHR, Inspektoriatit të Lartë të Lartë të Drejtësisë (ILD), Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në vend, për t’i vënë në dijeni të këtyre akteve që cënojnë votën e lirë dhe minojnë demokracinë në Shqipëri.

Pas rasteve të ngjashme në Bashkitë Belsh dhe Rrogozhinë, Edi Rama vazhdon me kompromentimin e sistemit të drejtësisë për të cënuar procesin zgjedhor në Kukës.

Ky është një akt i rëndë ndaj të cilit Koalicioni «Bashkë Fitojmë», Partia Demokratike dhe Opozita e bashkuar do të reagojnë me forcë.

I bëjmë thirrje çdo qytetari kuksian të dalë të votojë që të ndëshkojë me forcën e votës këtë qeverisje që dhunon votën e lirë.