Vendosni fjalën kyçe....

Identifikohen autorët e 9 zjarrvënieve në Fier, arrestohen 5 persona


Policia njofton se ka identifikuar autorët e 9 zjarrvënieve ditën e djeshme në qarkun Fier, ndërkohë që 5 prej tyre kanë rënë në pranga.

Pas hekurave ranë shtetasit; Aleksandër Doko, Hamit Likaj, Genci Rama, Osman Cjapi si dhe Nolin Çepele.

 

NJOFTIMI I POLICISE

Arrestohen 5 prej tyre, procedohen në gjendje të lirë 3, si edhe u shpall në kërkim 1 tjetër, pasi si pasojë e zjarreve që ndezën, u dogjën sipërfaqe të mbjella me ullinj, pemë frutorë dhe sipërfaqe pyjore.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Fier, Lushnjë dhe Divjakë, në bashkëpunim me shërbimet mbështetëse, pas njoftimeve për 9 vatra zjarri në fshatrat Pishë Poro, Frashër, Ofiçinë, Marinëz, Jagodinë, Lumth, Goriçaj dhe Remas, u identifikuan dhe u proceduan penalisht autorët e të 9-ta rasteve.

Konkretisht, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:

-u arrestua shtetasi A. D., 62 vjeç, banues në Pishë Poro, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, zjarri ka dalë jashë kontrollit dhe për pasojë u dogj sipërfaqe e konsiderueshme me pyje në pyllin e Darëzezës;

-u arrestua shtetasi H. L., 72 vjeç, banues në Ofiçinë, Patos, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, zjarri ka dalë jashë kontrollit dhe për pasojë u dogjën 50 hektarë me të mbjella në pronësi të shtetasve të tjerë në këtë zonë;

-u arrestua shtetasi G. R., 48 vjeç, banues në Frashër, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, zjarri ka dalë jashë kontrollit dhe për pasojë u dogjën 12 dynum me të mbjella në pronësi të shtetasve të tjerë;

-u arrestua shtetasi O. C., 70 vjeç, banues në Marinëz, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, zjarri ka dalë jashë kontrollit dhe për pasojë janë djegur dhjetëra rrënjë ullinj, në pronësi të një shtetasi tjetër;

-u arrestua shtetasi N. Ç., 49 vjeç, banues në Jagodinë, pasi për shkak se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturina, zjarri ka dalë jashë kontrollit dhe për pasojë u dogjën serat në pronësi të një shtetasi tjetër.