Vendosni fjalën kyçe....

Kukësi voton sot për kryebashkiakun e ri, socialisti Albert Halilaj përballë kandidatit të ‘BF’, Emri Vata


Mbahen sot zgjedhjet për kryebashkiakun e ri të Kukësit.

Në garë janë kandidati socialist Albert Halilaj, i cili garon përballë Emri Vatës, kandidat i Aleancës ‘Bashkë Fitojmë’, pasi PD-ja zyrtare nuk mori pjesë në votime.

Ashtu siç e përcakton dhe rregullorja e KQZ-së, qendrat e votimit janë hapur që prej orës 07:00, të cilat do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.

Kujtojmë se në këtë qark përsëriten zgjedhjet, pas shkarkimit të Safet Gjicit nga posti I kryebashkiakut, për shkak të një videoskandali në zyrën e tij. Në zgjedhjet e pjesshme vendore në Kukës do të votohet vetëm me një fletë votimi për kandidatin e bashkisë.

Sipas KQZ-së të regjistruar në listat e votimit janë 45 946 zgjedhës, 22 174 prej të cilëve janë votuese femra dhe 23 772 janë votues meshkuj.

Në këto zgjedhje janë regjistruar si subjekte zgjedhore 5 parti politike, PS, PL, PD, PDK dhe PEI. Po ashtu është regjistruar si subjekt zgjedhor edhe koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Zgjedhësit do të kenë mundësi të votojnë në 74 qendra votimi, 1 prej të cilave është ngritur në institucionin e paraburgimit të qarkut Kukës.

Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 74 qendra votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.