Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) do të shpalli sot vendimin për Lefter Kokën, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë.
Në seancën e kaluar, (6 shtator) ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka shfajësoi veten përballë akuzave lidhur me inceneratorin e Fierit. Ish-ministri i cili ishte i pranishëm në GJKKO në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ndër të tjera është shprehur se nuk ka pasur fuqi vendimmarrëse në këtë çështje dhe se vetëm ka ekzekutuar.
Në seancën e konkluzioneve të mbrojtjes, ai tha se kërkon drejtësi, ku ka më pas ka akuzuar Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin si autorët e kallëzimit penal të bërë ndaj tij.
“Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova që janë kriter themelor i proçesit penal. Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit”, u shpreh ish-ministri në gjykatë.
SPAK ka kërkuar 10 vjet burg për Lefter Kokën, por për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg, i njëjti dënim i kërkuar ndaj tij edhe në procesin për inceneratorin e Elbasanit. Për ish deputetin socialist, Alqi Bllako, u kërkua 7 vite. Për shkak të pranimit të gjykim të shkurtuar prokuroria kërkon përfundimisht dënimin me 4 vite e 8 muaj.
Ndërsa për Klodian Zoton, aksioner kryesor i koncesionarit të Fierit ende në kërkim u kërkua dënimi 12 vite burg. Për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht prokuroria kërkon që ai të dënohet me 6 vite e 8 muaj burg.
Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.