Vendosni fjalën kyçe....

Bagëtitë në rënie, por importi i ushqimeve për kafshë shënoi rritje vjetore 15% për 8 mujor nga braktisja e kullotave


Numri i bagëtive është në rënie të shpejtë nga viti në vit, por në kontrast shpenzimet e ekonomisë vendase për importin e ushqimit të kafshëve po pësojnë rritje gjithashtu.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 8 -mujorin 2023 vlera e importeve të ushqimeve për kafshë arriti në 4,9 miliardë lekë ose rreth 47 milionë euro me një rritje 10% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ndërsa në sasi ishin 15% më të larta.

Burimet zyrtare te të dhënave tregojnë se numri i bagëtive ka shënuar rënie me 18% nga viti 2020 me 2022, por importet e ushqimeve për kafshë janë rritur me 60 për qind në 8- mujorin 2023 në krahasim me 2020.

Ekspertët e blegtorisë pohojnë se sektori po pëson tranzicion të thellë si me rënien e numrit të krerëve dhe me ristrukturimit nga fermat të vogla me dy -tre krerë të fermat me mesme dhe të mëdha.

Kullotat e vendit janë të boshatisura prej falimentit të fermave të vogla rurale 1-3 krerë, teksa mbarështimi intensiv është përqendruar në Lushnjë dhe në Fier.

Fermerët në zonën e Fierit pohuan se vitet e fundit është vështirësuar gjetja e bazës ushqimore, pasi tokat që deri vonë shërbenin si kullota tani po mbillen me kultura bujqësore për njerëzit. Vitet e fundit fitimet në sera ishin më të larta se mbarështimi ne stalla. Kjo tendencë çoi në rënien e numrit të krerëve të bagëtive në zonat e Fierit, Lushnjës dhe Beratit, por nga ana tjetër u reduktua ndjeshëm toka që shërbente për sigurimin e bazës ushqimore stallat ekzistuese.

Kafshët në regjim stallor kanë nevoja të larta për bazë ushqimore ndryshe nga tufat me regjim natyror në kullota. Përqendrimi i aktivitetit blegtoral në stalla po nxit rritjen e importeve të ushqimit, por edhe kostot për blegtorinë.

Shqipëria importon ushqim për bagëtitë që nga Spanja dhe kosto e transportit me kamion tejkalon vlerën e mallit. Vendi ynë vuan nga copëzimi i lartë i tokës bujqësore dhe kjo nuk mundëson nxitjen ekonomisë së shkallës dhe ciklin e mbyllur në fermat e kafshëve.

Blegtoria që është dega kryesore e bujqësisë me rëndësi në shportën e ushqimeve ka hyrë në cikël rënie të shpejtë, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet më çmimet më të larta të bulmetit në Europë. Sipas Eurostat, në vitin 2022 Shqipëria u rendit në mesin e 11 vendeve më çmimin më të lartë të qumështit në Europë, teksa të dhënat nga tregu nuk janë optimiste pasi rënia e numrit të bagëtive ka vijuar edhe këtë vit.

Përveç popullatës së gjerë që po përballet me çmime të larta të bulmetit, bizneset e shërbimit ushqimor janë duke u ndeshur me mungesë të furnizimeve blegtorale. Sakaq kërkesa nga turistet e huaj është në rritje dhe baza e kulinarisë shqiptare është mishi./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor