Vendosni fjalën kyçe....

Orban: Ratifikimi i hyrjes së Suedisë në NATO nuk është urgjent


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha para Parlamentit të shtetit të tij të hënën se ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO nuk është “urgjente”, duke e akuzuar shtetin nordik se ka sfiduar “natyrën demokratike” të shtetit.

Hungaria ende nuk ka votuar për pranimin e Suedisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), duke iu bashkuar Turqisë, e cila për një kohë të gjatë kishte bllokuar anëtarësimin e Suedisë në aleancë, para se të hiqte veton në muajin korrik.

Në të kaluarën, Orban vazhdimisht ka deklaruar se Hungaria mbështet Suedinë në aspiratën e saj që t’i bashkohet NATO-s.

“Pyes veten nëse ka diçka urgjente që na detyron ne të ratifikojmë anëtarësimin e Suedisë në NATO. Nuk shoh asnjë rrethanë të tillë”, u tha Orban ligjvënësve më 25 shtator.

Orban i mbështeti deklaratat e tij duke thënë se “nuk ka asnjë rrezik për sigurinë e Suedisë” dhe asnjë marrëdhënie ushtarake me Suedinë nuk rrezikohet.

Budapesti shpesh dënon atë që e cilëson “sjellje armiqësore” të Stokholmit, duke i akuzuar përfaqësuesit suedezë se “vazhdimisht e sulmojnë Hungarinë” për çështjet që lidhen me sundimin e ligjit.

Në javët e fundit, ka qarkulluar një video e vitit 2019, ku shfaqen kritika lidhur me rënien e demokracisë në Hungari.

“Akuzat e rënda dhe informacionet e rreme po përhapen në shkollat e Suedisë”, tha kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto, në letrën që i dërgoi më herët gjatë shtatorit homologut të tij suedez.

Videoja që është rishfaqur për Hungarinë që shfaqet në shkolla “përkeqëson problemin…. në nivelin e politikës ndërkombëtare dhe ne nuk do ta pranojmë këtë”, tha Orban të hënën.

Helsinki dhe Stokholmi – që për vite të tëra kishin politikë të mosangazhimit ushtarake – pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës shkurtin e kaluar, shprehën dëshirën e tyre që t’i bashkohen NATO-s.

Në prill, Finlanda u bë anëtarja e 31-të e NATO-s.