Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet e dendura të shiut lënë 40 fshatra pa drita në Korçë! Probleme edhe në aksin ‘Librazhd-Përrenjas’


Rreshjet e dendura të shiut prej më shumë se 2 orësh bënë që rrugët e qytetit të Korçës të përmbyten, ku bulevardi Gjergj Kastrioti, parku Rinia por edhe rrugicat e qytetit u mbushën me ujë.

Për shkak të bllokimit te pusetave, uji vërshoi dhe ne rrugët e qytetit te Pogradecit.

Moti i keq me shi të dendur dhe erë u bë shkak për dëmtimin e linjave elektrike. 40 fshatra në Maliq, Pogradec Devoll dhe Kolonjës janë pa drita prej orëve të para të ditës së sotme. OSHEE tha se po punon për riparimin e defekteve.

Edhe në rrugën nacionale Librazhd-Përrenjas uji dhe inertet vërshuan në rrugë duke sjellë vështirësi në qarkullimin rrugor. Një aksident pa pasoja në njerëz u shënua në mesditë për shkak të përmbytjes së rrugës. Në Dibër, moti i keq shkaktoi problematika në Rrugën e Arbrit. Në Urën e Çerenecit pjese e aksit Bulqizë-Maqellarë prezenca e ujit dhe gurëve shkaktoi vështirësi në lëvizje.

Në Lezhë dhe Shkodër nuk raportohen problematika, por me nisjen e shirave mbetet evident rreziku për përmbytje. Kjo ka shqetësuar Drejtorinë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit për shkak të mjeteve të pakta në dispozicion.Aktualisht po punohet në pastrimin e Lumit Drin në afërsi të fshatit Balldre.