Reshjet e shumta të shiut të nisura që ditën e djeshme kanë krijuar probleme në rrugët nacionale të qarkut Dibër.
Më problematike situata duket në rrugën e Arbrit, kryesisht në by-passin e Murrizit, segmentin e Xibrit dhe Bulqizë- Maqellarë.
Në këto zona ka pasur rënie të vazhdueshme gurësh të cilët janë kthyer në rrezik për aksidente. Si pasojë e reshjeve intensive të shiut në afërsi të urës së Çerenecit kanë rrëshkitur herë pas here gurë të mëdhenj në rrugë, ndërsa vetë ura është e mbushur me ujë.
Shkak mësohet se është bërë bllokimi i kanaleve anësore të rrugës dhe shkarkuesve mbi urë.Gjithashtu, rënie gurësh dhe vështirësi qarkullimi ka pasur edhe në aksin tjetër nacional Burrel-Skuraj, kryesisht në segmentin e Shkopetit.