Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç bisedon me ambasadorin rus në Serbi, një ditë pas sulmit në veri të Kosovës


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, një ditë pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

“Jam mirënjohës që (ambasadori rus) i dëgjoi lutjet dhe kërkesat e palës serbe”, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram më 25 shtator.

Ai nuk ka dhënë hollësi se për çfarë kërkesash bëhet fjalë.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, më 24 shtator. Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra në sulm, konfirmuan autoritetet.

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar. Rreth 30 sulmues ishin vendosur në manastirin e fshatit Banjskë të komunës së Zveçanit dhe përreth tij./REL