Vendosni fjalën kyçe....

Balla: T’i jepet fund parkimeve vend e pa vend, çdo mjet i parkuar gabim do të largohet me karoatrec


Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha se shpejt do të ndërhyhet me karoatrec për të zhvendosur mjetet e parkuara gabim.

Këtë deklaratë Balla e tha në kuadër të planit të masave për të lehtësuar trafikun, pasi një nga shkaqet për trafikun e rënduar në disa rrugë urbane kryesore dhe dytësore në Tiranë janë dhe parkimet në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

“Ne duam mirëkuptimin e drejtueseve dhe drejtuesve të mjeteve, se makina juaj e parkuar gabim është një problem shumë i madh për të tjerët, të cilëve u ke zënë rrugën, po ashtu dhe një karshillëk i madh ndaj Kodit Rrugor. Numri i madh i masave ditën e djeshme në Tiranë, është një apel publik për reflektim dhe bashkëpunim drejtuar përdoruesve të mjeteve. Policia e Shtetit nuk do ta tolerojë asnjë çast këtë shkelje masive dhe këtë karshillëk. Brenda pak ditësh çdo mjet i parkuar gabim do të largohet nga vendqëndrimi i gabuar me makineri të specializuar të kontraktuar nga Policia Rrugore dhe do të bllokohet.

Parkimeve të gabuara vend e pa vend, parkimeve dyshe, treshe mu në mes të rrugës, parkimeve mbi trotuar apo tek korsia e biçikletave etj., do duhet t’i jepet fund. Trafiku i rënduar në kryeqytet dhe në qytetet e tjera ka si burim kryesor edhe parkimet e gabuara, të cilat bllokojnë rrjedhshmërinë e trafikut”, tha Balla.