Bashkimi Evropian do të investojë 19 milionë euro në Shqipëri, me fokus trajtimin e mbetjeve.
Projekti parashikon rritjen e riciklimit me qëllim reduktimin e vëllimit të mbetjeve dhe ngritjen e landfilleve të reja sipas modeleve të Bashkimit Evropian dhe lehtësimin e menaxhimit të mbetjeve për të reduktuar ndotjen dhe emetimet e gazeve serrë.
Ky projekt do të zbatohet nga Agjencia Franceze për Zhvillim, dhe do të shtrihet në qarkun e Kukësit dhe të Gjirokastrës, ku do të përfshihet edhe pjesa jugore e Vlorës. Ky investim do të përmirësojë kushtet e jetesës së afro 190.000 banorëve në këto dy qarqe, ndërkohë që zbatimi i projektit do të fillojë nga viti 2024.
Ky projekt është në përputhje me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve të Shqipërisë (NWMP) për periudhën 2020-2035 dhe do të jetë një moment i rëndësishëm historik drejt zbatimit të reformave dhe investimeve në përputhje me direktivat e BE-së për sa i përket ekonomisë qarkulluese dhe përmbushjes së agjendës së gjelbër.
Në një ceremoni të përbashkët, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministri i Deleguar francez përgjegjës për Tregtinë e Jashtme, Atraktivitetin dhe Francezët jashtë vendit, Oliver Becht, ambasadorja franceze në Shqipëri Catherine Suard, ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca dhe drejtori i AFD-së për Ballkanin Perëndimor Arnaud Dauphin, lançuan zyrtarisht këtë projekt të ri. Pas një faze fillestare konsultimesh dhe studimesh teknike, investimet konkrete do të nisin nga viti 2024-2025 për një periudhë katërvjeçare.
Ky projekt është pjesë e programit më të madh të Bashkimit Evropian për Shqipërinë me vlerë 30.9 milionë euro “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Agjendën e Gjelbër”, i cili gjithashtu do të trajtojë përafrimin me legjislacionin e BE-së duke prezantuar politikat e “Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit” dhe duke mobilizuar komunitetet dhe sektroin privat drejt ekonomisë qarkulluese dhe agjendës së gjelbër.