Vendet anëtarë të unionit do të mbajnë sot një takim të posaçëm për situatën në veri të Kosovës në të cilin do të diskutohet rreth hapave të nevojshëm që do të ndërmerren për këtë situatë.
Bashkimi Evropian ka insistuar që përgjegjësit për sulmet në veri të Kosovës të dalin përpara drejtësisë. Lajmin është bërë me dije nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano i cili u shpreh se hetimet janë duke vazhduar për situatën e rëndë në veri, e ndërsa theksoi se i janë besuar Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me KFOR dhe EULEX.
“EULEX-i është në terren si reaguesi i dytë. Është i angazhuar me kërkesë të Policisë së Kosovës. Bashkëpunimi deri më tash ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është shumë i mirë. Komandanti i EULEX-it është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe informon për të gjitha hollësitë në terren.
Hetimet po vazhdojnë dhe ato nuk janë kryer akoma. Ato janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, dhe me kërkesë, ata asistohen nga EULEX-i dhe KFOR-i. Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa i përket përgjegjësisë, mosndëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është i qartë. Të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë ai.
Stano theksoi gjithashtu se për punën në terren është i informuar edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell.
“Edhe përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, po ashtu ka qenë në kontakt, edhe me liderët në Kosovë dhe Serbi, por edhe me vendet anëtare. Vendet anëtare janë duke e analizuar situatën. Do të ketë takim sot pasdite edhe në Bruksel nga përfaqësuesit e vendeve anëtare ku do të diskutohet për hapat e nevojshëm”, ka thënë Stano.