Policia ka arrestuar ish-punonjësin e Prokurorisë së Kukësit aktualisht me profesion avokat pasi dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme që në vitin 2021 të lehtësonte një masë sigurie.
Në pranga ra shtetasi me iniciale A.C 38-vjeç banues në Kukës ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi dyshohet se më datë 05.03.2021, kohë kur shtetasi A. C. ka qenë punonjës në Prokurorinë e Kukësit, ka ushtruar ndikim të paligjshëm, për të lehtësuar masën e sigurisë, të caktuar ndaj shtetasit F. I.
“Ndikoi në mënyrë të paligjshme, në vitin 2021 kur ishte punonjës në Prokurorinë e Kukësit, me qëllim që të lehtësohej një masë sigurie, vihet në pranga 38-vjeçari, aktualisht me profesion avokat.
Ndalimi i këtij shtetasi, rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.
Shërbimet e Policisë, në zbatim të urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaluan në Kukës dhe vunë në pranga shtetasin A. C., 38 vjeç, banues në Kukës.
Ndaj 38-vjeçarit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi dyshohet se më datë 05.03.2021, kohë kur shtetasi A. C. ka qenë punonjës në Prokurorinë e Kukësit, ka ushtruar ndikim të paligjshëm, për të lehtësuar masën e sigurisë, të caktuar ndaj shtetasit F. I.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.