Vendosni fjalën kyçe....

Mallorca barazon me Barcelonën, sulmuesi i Kosovës shënon gol dhe jep asist


Vedat Muriqi ka vazhduar edhe sonte me paraqitje të shkëlqyeshme, teksa Mallorca ndali me barazim Barcelonën në La Liga.

Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Son Moix” përfundoi me rezultatin 2:2.

Kjo përballje i takoi javës së shtatë në elitën e futbollit spanjoll.

Muriqi dëshmoi edhe sonte se është njëri prej lojtarëve kryesorë te skuadra e tij, duke kontribuar me një gol dhe një asistim. Ai tani numëron tre gola dhe një asistim në La Liga.

Sulmuesi kosovar fillimisht shënoi në minutën e tetë, për epërsinë fillestare të Mallorcas.

“Blaugranët” ia dolën të barazonin shifrat në minutën e 41-të, përmes Raphinhas.

Megjithatë, “Piratët” morën edhe një herë epërsinë para pushimit mes pjesëve. Abdon Prats dërgoi topin në rrjetë në minutën e tretë shtesë (45+3’), pasi pranoi një asistim nga Muriqi.

Barça ia doli sërish të barazojë rezultatin, kur Fermin Lopez shënoi në minutën e 75-të.

Mallorca pas këtij barazimi ka gjashtë pikë dhe tani renditet në pozitën e 15-të në tabelë.

Barcelona mbetet lidere me 17 pikë.