Ministrja e Jashtme e Gjermanisë ka reaguar në rrjetin social X (Ish Twiter) pas sulmit terrorist të së dielës mbi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku.
Kryediplomatja gjermane tha se në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë që palët do të bëjnë për të de-përshkallëzuar situatën.
“Pas sulmit ndaj policisë në Kosovë, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe. Në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë që bëni për të de-përshkallëzuar. Serbia në veçanti duhet të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, shkruan ajo.