Shqipëria po përjeton vitin e saj më të mirë turistik në historinë e pas tranzicionit. Nga veriu në jug, në plazhe, në mal, në qytetet historike, në bare e restorante, kudo, ndeshesh me turistë nga kombe të ndryshme.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se hyrjet e shtetasve të huaj për 8 muajt e parë të këtij viti arritën në gati 7.2 milionë persona (7,190,410), me një rritje prej 26.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm në gusht, që është kulmi i sezonit turistik, në vend hyrë rreth 2 milionë shtetas të huaj, ose 18.3% më shumë sesa gushti i një viti më parë.
Që nga qershori në vend hyn mbi 1 milionë shtetas të huaj, për të arritur në 1.77 milionë në korrik dhe duke e kaluar për herë të parë pragun e 2 milionëve në gusht.
Sipas INSTAT, Në Gusht 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.951.489 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore /Paqësori, përkatësisht me 40.106 dhe 12.335 shtetas.
Në Gusht 2023, krahasuar me Gusht 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur:
– për qëllime personale me 18,2%;
– për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 22,5%;
– për biznes dhe qëllime profesionale me 34%.
Të dhëna të tjera të Ministrisë së Turizmit bëjnë të ditur se shtetasit nga Kosova vijojnë të zënë pjesën më të madhe të hyrjeve në Shqipëri, me rreth një të tretën. Këtë vit, për herë të parë italianët kaluan të dytët me rreth 10%, të ndjekur nga vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut.
Ikin dhe shqiptarët
Jo vetëm hyrjet e të huajve kanë arritur rekorde. Edhe daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur ndjeshëm.
INSTAT raportoi se daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Gusht 2023 janë 842.940.
Krahasuar me Gusht 2022, ky tregues është rritur me 8,9%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë tetëmujorit 2023, është 4.577.753, duke u rritur me 18,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor