Rusia është renditur në faqen e internetit të Kombeve të Bashkuara si kandidate për zgjedhjen si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për mandatin 2024-2026, që do të bëhet më 10 tetor.
Anëtarësimi bazohet në shpërndarjen e barabartë gjeografike, me dy vende të lira në grupin rajonal të Shteteve të Evropës Lindore, sipas Kombeve të Bashkuara. Rusia, së bashku me Shqipërinë dhe Bullgarinë, kanë shpallur kandidaturën e tyre për atë rajon deri më tani.
Sipas dokumentit të pozicionit të Rusisë, të cilin e posedon CNN, Rusia e konsideron Këshillin e të Drejtave të Njeriut një “organ kyç në sistemet e Kombeve të Bashkuara”.
“Nëse zgjidhet, Federata Ruse do të fokusohet në këtë çështje. Ne do të promovojmë me vendosmëri parimet e bashkëpunimit dhe forcimin e dialogut konstruktiv me respekt të ndërsjellë në Këshill, në mënyrë që të gjejmë zgjidhje adekuate për çështjet e të drejtave të njeriut”, argumentohet në dokument.