UEFA ka vendosur t’i besojë FSHF-së dhe Shqipërisë mikpritjen e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.
Federata Shqiptare ishte një nga federatat që kishte kandiduar për të pritur fazën finale të turneut. Së fundmi, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e zhvillua këtë të martë në Qipro ka votuar pro kandidaturës shqiptare, me finalet e turneut kontinental që do të luhen në Shqipëri pas dy vitesh.
Në aplikimin e dorëzuar nga Federata Shqiptare e Futbollit është parashikuar që ndeshjet të zhvillohen në “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Këto stadiume do të presin ndeshjet e fazës së grupeve, ato gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Gjithashtu për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen.
Në të njëjtën kohë me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor lind dhe detyrimi për të kryer disa investime të rëndësishme shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore ku së bashku me pushtetin qendror dhe atë lokal do të duhet të investohet në Tiranë, Durrës, Kamëz, Elbasan, Shijak, Rrogozhinë e Kavajë.