Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori amerikan në Kosovë: Sulmi i armatosur ku u vra polici, ‘i koordinuar dhe sofistikuar’


Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka pohuar se SHBA-ja ka arritur në përfundimin se sulmi i fundjavës nga milicia e dyshuar serbe në veri të Kosovës, ku humbi jetën një officer policie dhe tre persona të të tjerë të armatosur, kishte për qëllim destabilizimin e rajonit dhe po paralajmëron për përshkallëzim të mundshëm të mëtejshëm midis armiqve të vjetër.

“Ne e dimë se ishte i koordinuar dhe i sofistikuar”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier për POLITICO, duke shtuar se personat e armatosur dukej se kishin pasur stërvitje ushtarake. “Sasia e armëve sugjeron se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizuar sigurinë në rajon.” – shtoi ai.

Policia e Kosovës tha se një grup prej rreth 30 serbësh të armatosur rëndë i zunë pritë një patrulle policie herët të dielën, duke vrarë një oficer dhe duke plagosur një tjetër, përpara se të iknin dhe të strehoheshin në një manastir ortodoks aty pranë.

Tre persona të armatosur u vranë në një shkëmbim zjarri me policinë dhe dy u arrestuan. Shumica e të armatosurve serbë arritën të dilnin fshehurazi nga manastiri dhe të arratiseshin në këmbë, thanë autoritetet e Kosovës.

Hovenier tha se SHBA-ja duhet të përcaktojë ende nëse Serbia ishte përgjegjëse për sulmin, siç pretendon Kosova, por ai tha se pajisjet e konfiskuara nga autoritetet, që përfshinin raketahedhës, mina dhe një transportues të blinduar të personelit, ishin të ‘gradës ushtarake të padisponueshme për qytetarët e zakonshëm’.

Ai tha se SHBA-ja nuk kishin arsye të dyshonte se armët dhe pajisjet e tjera të paraqitura nga policia e Kosovës në një konferencë për shtyp të hënën nuk ishin ato që u gjetën në vendin e ngjarjes.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç mohoi se Beogradi ishte i përfshirë në sulm, duke këmbëngulur se ishte vepër e serbëve lokalë të Kosovës të provokuar nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka shtuar policinë në rajon muajt e fundit.