Vendosni fjalën kyçe....

Detajet e para/ Të shtënat me armë në Shkodër, vritet babai, plagoset i biri


Të shtëna me armë janë regjstruar në Shkodër mbrëmjen e sotme. 

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Malit të Shoshit, ndërsa policia ka blinduar zonën.

Raportohet se Zef Guri (babai) ka mbetur viktimë dhe Gjin Guri (i biri), i plagosur rëndë.

Mësohet se Gjin Gurit në nëntorin e vitit 2021 i është vendosur një sasi tritoli tek lokali i tij në Shosh.

Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar babë e bir me breshëri automatiku.

Policia ka nisur helikopterin drejt Malësisë së Madhe.

E shkuara e Gjin Gurit

Më 15 nëntor të vitit 2021 Gjin Gurit i është vendosur një tritol në lokalin e tij në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit në Dukagjin.

Nga shpërthimi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, ndërsa autorët mbetën të pazbuluar.

Pronari i lokalit që ishte shënjestër e sulmit me lëndë plasëse, shtetasi Gjin Guri, është një person me precedent penal, sepse është dënuar me vendim të formës së prerë me 7 vite burg për armëmbajtje pa leje dhe kanosje. Ndërkohë, në vitin 2015 Gjin Guri u arrestua sërish nga Policia e Shkodrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në kuadër të operacionit “Bjeshkët”.

Asokohe Gjin Guri ishte një person në kërkim ndërkohë që dyshohej edhe si personi që qëlloi ndaj Policisë në një aksion të efektivëve 6 vite më parë për të mbrojtur parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin. “Gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me grupet e FNSHsë Shkodër, mbi bazën e një plani operacional të mirorganizuar bënë të mundur kapjen në banese te personit të shumëkërkuar në fshatin Shosh, Dukagjin, shtetasin Gjin Guri, 38 vjeç”, njoftonte Policia më 27 shtator 2015.