Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump shpallet përgjegjës për mashtrim nga gjykata në Nju Jork


Një gjykatës i Nju Jorkut zbuloi se Donald Trump dhe biznesi i tij familjar në mënyrë mashtruese kanë fryrë vlerën e pronave të tij dhe aseteve të tjera, në një çështje me peshë të madhe  për ish-presidentin e SHBA, që mund të pengojë rëndë mundësinë e tij për të bërë biznes në shtet.

Vendimi i ashpër i gjyqtarit Arthur Engoron i gjykatës shtetërore të Nju Jorkut në Manhattan do e bëjë më të lehtë për Prokuroren e Përgjithshme të shtetit Letitia James të vendosë  për dëmshpërblime në një gjyq të planifikuar më 2 tetor.

Engoron urdhëroi gjithashtu anulimin e certifikatave që lejojnë disa nga bizneset e Trump, përfshirë Organizatën Trump, të operojnë në Nju Jork dhe urdhëroi caktimin e një administratori të përkohshëm për të menaxhuar shpërbërjen e bizneseve.

Gjykatësi përshkroi se si Trump, djemtë e tij të rritur Donald Jr. dhe Eric, Organizata Trump dhe të pandehur të tjerë bënë vlerësime dhe rritën vlerën neto të Trump për t’iu përshtatur nevojave të tyre të biznesit.

“Kjo është një botë fantazie, jo bota e vërtetë,” shkroi Engoron.

Gjykatësi sanksionoi gjithashtu avokatët e të pandehurve për argumente ligjore “të pahijshme” dhe nxitje të sjelljes “të pahijshme” të klientëve të tyre.

Trump dhe të pandehurit e tjerë kanë argumentuar se ata kurrë nuk kanë kryer mashtrime dhe se transaksionet e kundërshtuara ishin fitimprurëse. Ata planifikojnë të apelojnë vendimin e Engoron.

“Vendimi i ashpër i sotëm është krejtësisht i shkëputur nga faktet dhe ligji qeverisës,” tha Christopher Kise, një avokat i Trump, në një deklaratë.

“Presidenti Trump dhe familja e tij do kërkojnë të gjitha mjetet juridike të disponueshme të apelit për të korrigjuar këtë dështim të drejtësisë”.

James tha se ajo mezi pret të paraqesë pjesën tjetër të çështjes së saj në gjyq.

“Është një vendim shkatërrues,” tha Bill Black, studiues për rregullimin financiar në Shkollën Juridike të Universitetit të Minesotës. Ai tha se anulimi i certifikatave të biznesit mund të dëmtojë aftësinë e Trump për të fituar para.

“Nëse vendimi mbetet në fuqi, ata duhet të likuidojnë të gjitha shoqëritë të cilat aktualisht mbajnë pjesën më të madhe të aktiveve,” tha Black, duke iu referuar kompanive me përgjegjësi të kufizuar.

Trump po kërkon nominimin presidencial republikan për vitin 2024 dhe ka ruajtur një epërsi të madhe në garë pavarësisht akuzave penale me të cilat përballet në shumë raste.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump i quajti akuzat se ai kishte kryer mashtrim “qesharake dhe të pavërteta” dhe e quajti Engoron një gjykatës “të marrë” që i është bindur dekretit të James, një demokrate.

“Ky është Ligji Politik Demokratik dhe një Gjueti Shtrigash në një nivel të paparë më parë,” shkroi Trump. “Nëse ata mund ta bëjnë këtë ndaj meje, ata mund ta bëjnë këtë edhe ndaj jush!”

Trump ka pohuar vazhdimisht pa prova se aktakuzat me të cilat përballet janë “gjueti shtrigash”.

James e paditi Trumpin në shtator 2022, duke e akuzuar atë, tre nga fëmijët e tij të rritur dhe Organizatën Trump se kanë gënjyer për më shumë se një dekadë për vlerat e aseteve dhe vlerën e tij neto për të mashtruar bankat dhe siguruesit për të ofruar kushte më të mira.

Engoron tha se James paraqiti “prova përfundimtare” se Trump e kishte mbivlerësuar vlerën e tij neto midis 812 milionë dhe 2.2 miliardë dollarë.

“Edhe në botën e financave të larta, kjo gjykatë nuk mund të miratojë një propozim që gjen një gabim prej të paktën 812 milionë dollarësh si ‘të parëndësishëm’,” shkroi ai.

Gjykatësi tha se mbivlerësimet e Trump përfshinin pasurinë e tij në Mar-a-Lago në Florida, apartamentin e tij në Kullën Trump të Manhattanit dhe ndërtesa të ndryshme zyrash dhe fusha golfi.

Ai u mor sidomos me një problem të veçantë lidhur me pretendimin e Trump se apartamenti në kullën Trump ishte 2,787 metra katror, gati tre herë më i madh se madhësia e tij aktuale, duke çuar në një mbivlerësim prej 207 milionë dollarësh.

“Një mospërputhje e këtij rendi madhësie, nga një zhvillues i pasurive të paluajtshme që rrit hapësirën e tij të jetesës prej dekadash, mund të konsiderohet vetëm mashtrim dhe asgjë tjetër,” shkroi Engoron

Gjykatësi tha se Trump gjithashtu e mbivlerësoi shumë rezidencën Mar-a-Lago, duke vlerësuar se ajo kishte vlerë deri në 612.1 milionë dollarë, megjithëse një vlerësues tha se vlera e tij e tregut nuk ishte më shumë se 27.6 milionë dollarë.

Engoron gjithashtu qortoi Trumpin për ofrimin e mbrojtjeve në një depozitim që ishte “krejtësisht pa bazë”, duke përfshirë se nuk kishte asgjë të keqe me mënyrën se si ai vlerësonte pronat në një vit të caktuar nëse vlerat e tyre më pas rriteshin.

“Ai gjithashtu duket të nënkuptojë se numrat nuk mund të fryhen sepse ai mund të gjejë një “blerës nga Arabia Saudite” për të paguar çdo çmim që ai sugjeron”, shkroi gjyqtari.

Kthesa e çështjes gjyqësore

Vendimi i Engoron vjen tre muaj pasi një gjykatë e apelit shtetëror tha se disa nga pretendimet e James ishin shumë të vjetra sepse statutet e kufizimeve kishin skaduar në korrik 2014 ose shkurt 2016.

Engoron hodhi poshtë argumentin e Trump se vendimi në thelb rrëzoi padinë e James, për të cilën James tha se pasqyronte një seri “gabimesh të vazhdueshme” që ajo mund të provonte në gjyq.

Gjykata e Apelit hoqi një të pandehur nga çështja, vajzën e Trump, Ivanka.

Trump gjithashtu përballet me një mori çështjesh të tjera gjyqësore.

Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat në katër aktakuza që e akuzojnë atë për përpjekje për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj demokratit Joe Biden, grumbullimin e materialeve sekrete dhe fshehjen e pagesave të parave ndaj një ylli të filmave porno.

Trump gjithashtu përballet me një gjyq civil në janar për dëmet që i detyrohet për shpifjen ndaj shkrimtares E. Jean Carroll, e cila pretendoi se e përdhunoi atë. Ai ka mohuar keqbërjen.

Vendimi i Engoron nuk do të thotë automatikisht se çështja e mashtrimit të James do shkojë në gjyq të hënën e ardhshme.

Trump ka ngritur një padi duke kërkuar të shtyjë gjyqin, duke akuzuar Engoron dhe James se kanë injoruar urdhrin e gjykatës së apelit për të kufizuar çështjen.

Ai dhe të pandehurit e tjerë kanë thënë se kjo e ka bërë të pamundur përgatitjen për gjykim, sepse ata nuk e dinin se për cilat kërkesa do duhej të mbroheshin.

Gjykata e Apelit pritet të vendosë për kërkesën për shtyrje këtë javë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani