38-vjeçari Fatjon Dervshi ka mbetur i vrarë në Sukth të Durrësit pas një atentati ndaj tij.
Viktima ka qenë në timon kur është qëlluar me breshëri plumbash ndërsa shoku i tij që ka qenë pasagjer ka shpëtuar pa u dëmtuar.
Ky i fundit ka treguar në polici se kanë qenë duke u kthyer nga një lokak i fshatit Katund për në shtëpi kur ka ndodhur ngjarja.
Viktima është nipi i ‘Arapit të Sukthit’, një personazh i njohur për drejtësinë.
Njoftimi
“Në Katund, Sukth, tek shinat e trenit, nga persona ende të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri shtetasi F.D, 38 vjeç, i cili u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të Fnsh-së Tiranë. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorin vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës.”