Vendosni fjalën kyçe....

Megaoperacioni me 15 urdhër-arreste, i arrestuari pjesë e grupit të Laert Haxhiut zbardh për drejtësinë ngjarjet kriminale


Pas rreth katër muajsh, ka rënë në prangat e policisë Artan Tafani, autori i grabitjes së 30 mijë eurove në një exchange në zonën e Astirit në Tiranë.

Tafani është arrestuar disa ditë më parë në Lushnjë, por kapja e tij është mbajtur sekret për shkak të hetimeve. Ai është pjesë e grupit të Laert Haxhiut dhe nga burimet në media mësohet se ai është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Tafani ka qenë në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestim në Lushnje. Këtë të mërkurë i është komunikuar masa e sigurisë në Tiranë dhe në vijim pritet t’i komunikohen brenda vendit edhe 2 masa të tjera.

Nga rrëfimet e Tafanit si i penduar i drejtësisë janë zbardhur 6 vrasje, 2 në Greqi, në Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë. Ndërkohë mësohet se janë firmosur 15 urdhër-arreste me vendim gjykate, nga të cilat janë ekzekutuar 5 prej tyre. Mes të arrestuarve është edhe një vajzë në Lushnjë, 2 të tjerë janë arrestuar në Tepelenë dhe 2 në Pogradec.

Operacioni ka vijuar që prej mesditës së sotme dhe është shtrirë në disa qytete të vendit.

Janë rreth 20 ngjarje kriminale që janë zbardhur, bashkë me 6 vrasjet, ku bëhet fjalë edhe për shpërthime me tritol, tentativë vrasje dhe gjobvënie. Tafani ka rrëfyer këto ngjarje kriminale, ndërsa në mesin e personave që ka si autorë vrasjesh janë edhe emra të njohur të botës së krimit. Mes tyre mësohet se ka përmendur edhe emrin e Laert Haxhiut, i cili ndodhet i arrestuar në Greqi dhe kjo e fundit nuk ka pranuar ekstradimin.