Vendosni fjalën kyçe....

Abuzoi me fondet e klubit sportiv, vihet në pranga ish-nënkryetari i Bashkisë Librazhd


Policia ka vënë në pranga, Andri Çota, ish-nënkryetar i bashkisë së Librazhdit, pasi ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej për abuzim të fondeve të klubit sportiv Sopoti.

Sipas të dhënave nga policia gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik. 

“Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar për shpërdorim detyre.

Në vijim të punës operacionale hetimore, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të shpërdorimit të detyres, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan, pas një muaji hetime me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë  së Elbasanit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Loading”. 

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi A. Ç., 37 vjeç, banues në Librazhd.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, më datë 21.09.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka mbajtur postin nënkryetar i bashkisë Librazhd, ka keqpërdorur fondin për klubin sportiv, duke shkaktuar dëm ekonomik. 

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.”- njofton policia.