Në një takim informal me gazetarët, kreu i SPAK Altin Dumani dha detaje sa i përket një sërë dosjesh të nxehta.
Lidhur me fraksionin e dosjes Gërdeci, Dumani tha se SPAK konfirmon se po kryehen të gjitha verifikimet e mundshme dhe se janë nisur drejt SHBA-ve letërporosi dhe se po bashkëpunohet me këtë shtet.
Për Arben Ahmetajn, Altin Dumani tha se nuk ka informacion konkret për vendndodhjen e tij apo që të ketë dijeni nëse ka kërkuar azil, por bëri një paralajmërim.
“Dimë kur dhe ku ka dalë nga Shqipëria, çfarë dokumenti ka paraqitur dhe arsye. Së shpejti do kemi zhvillime surprizuese. Gjknuri është verifikuar në kuadër të hetimeve për Ahmetajn, kjo nuk do të thotë se ka hetim për secilin që del në atë procedim penal”.- tha Dumani.
.Lidhur me fondet e IPARD, pasi çështja u pushua për moskompetencë, ka një hetim të ri nga Prokuroria e Posaçme, të cilat ndodhen në fazë paraprake.
Për “Metamorfozën” Dumani i konsideron të ligjshme aktet e mbërritura nga partnerët, duke sjellë praktikën dhe vendimet e formës së prerë të disa gjykatave të vendeve europiane që i kanë njohur transkriptet si të ligjshme. Ai the se për procedimin në fjalë po bëhen veprime hetimore aktive, por nuk preferoi të jepte një qëndrim nëse do ketë një fazë të re.
“Deri kur u regjistrua ky procedim, flitej se zyrtarë e drejtues kryenin korrupsion apo ishin të përfshirë në krim, por s’kishte veprime konkrete. Sot është fakt që janë të arrestuar. Kemi shumë punë për të bërë lidhur me këtë çështje”, tha kreu i SPAK.
Për Amant Josifin, ai tha se është arrestuar në kuadër të një procedimi nga Spanja, dhe se SPAK ka bashkëpunuar, por lidhur me faktin nëse ka çështje të hapur në Shqipëri, Dumani shtoi se “nuk na tremb Amant Josifi dhe asnjë i ngjashëm, kushdo qoftë, nëse do kemi diçka konkrete, gjithsecili do japë llogari”