Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i parlamentit kanadez jep dorëheqjen pas skandalit


Kryetari i parlamentit kanadez Anthony Rota dha dorëheqjen të martën pasi një veteran nazist ishte i ftuari i tij në një fjalim të presidentit ukrainas Vladimir Zelensky. Ftesa është përballur me një dënim të gjerë.

Rota kërkoi falje të hënën për praninë e 98-vjeçarit Yaroslav Hunka në fjalimin e presidentit ukrainas Zelensky para ligjvënësve kanadezë të premten, por kundërshtoi të jepte dorëheqjen. Edhe pse ligjvënësit nga të gjitha partitë – përfshirë kryeministrin Justin Trudeau – brohoritën dhe duartrokitën Hunkan në këtë ngjarje, thirrjet për dorëheqjen e Rotës u rritën gjatë fundjavës pasi incidenti tërhoqi vëmendjen në mbarë botën, veçanërisht nga qeveritë e Rusisë dhe Polonisë.

Rota përfundimisht njoftoi dorëheqjen e tij të martën pasdite, duke deklaruar se do largohej nga posti i tij.

Politikanët nga partitë opozitare Demokratët e Rinj dhe Blloku Quebecois lëshuan kërkesat më të zhurmshme për dorëheqjen e Rotës, me udhëheqësin e Demokratëve të Rinj, Peter Julian, duke e përshkruar ftesën si “një gabim të pafalshëm që prek emrin e gjithë parlamentit”.

Trudeau, i cili drejton Partinë Liberale, anëtar i së cilës është Rota, nuk bëri thirrje për dorëheqjen e kryetarit, por e përshkroi ceremoninë si “thellësisht të turpshme për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Kanadanë”.

Gjatë ngjarjes, Rota e përshëndeti Hunkën si “një hero ukrainas, një hero kanadez… që luftoi për pavarësinë e Ukrainës kundër rusëve”. Rota nuk përmendi se Hunka luftoi në trupën elitë të Hitlerit Waffen SS. I njohur gjithashtu si Divizioni i 14-të Waffen Grenadier i SS, njësia dihet se ka kryer mizori kundër hebrenjve dhe polakëve gjatë fushatës së saj në Frontin Lindor.