Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani konfirmoi ditën e sotme në një deklaratë për mediat se kanë nisur hetimet për kullën “Mali i Tiranës” në qendër të Tiranës.
Dumani konfirmoi se është caktuar prokurori i çështjes që do të hetojë dosjen për projektin e kullës në qendër të Tiranës ku përflitet se pas saj qëndrojnë familja Berisha, përkatësisht Shkëlzen Berisha
Hetimi nis pas kallëzimit që bëri më 8 gusht për kullën me 65 kate, 185 metra e lartë që ka nisur të ndërtohet prapa Teatrit të Operas dhe Baletit.
“Është marrë një kallëzim penal nga Partia Demokratike lidhur me këtë çështje. Është hedhur ne short është caktuar prokurori i çështjes. Nuk mund të jap detaje për hetimet pasi me të po merret prokurori i përcaktuar nga shorti”, tha Dumani.
Fillimi i ndërtimi të kësaj kulle ndezi një debat në muajin gusht pasi përfshiu aktorët kryesorë të politikës në Shqipëri.
Ndërtues i kullës është Ilir Shtufi, i lidhur ngushtë me djalin e Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, i cili edhe banon në një nga vilat që është nën emrin e Ilir Shtufit, ndërtuesit të kullës.