Është zbardhur vrasja që ndodhi pasditen e djeshme në Dukagjin, ku Zef Guri u qëllua për vdekje ndërsa i biri, që dyshohet se ishte shënjestër e atentatit u plagos.
Policia ka shpallur në kërkim 28-vjeçarin Martin Qershija, 29-vjeçarin Edmond Nika, 25-vjeçarin Kujtim Dholla e 36-vjeçarin Çesk Serraj.
Ata dyshohet se janë autorët e bashkëpunëtorët e vrasjes së 73-vjeçarit e të birit 43-vjeç, ngjarje e ndodhur në një lokal në Malin e Shoshit.
Vrasja e plagosja e babë e bir ndodhi rreth orës 18:45. Shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Gjin Guri, i cili mbeti i plagosur dhe u soll në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar ndërsa shkak për ngjarjen dyshohet se janë bërë konfliktet për kultivimin e kanabisit.
Gjin Guri është persona me precedent penal. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje.
Në vitin 2015, Gjin Guri ka shkëmbyer zjarr me policinë në një aksion antikanabis në parcelat me kanabis në Shosh të Dukagjinit.
Asokohe ai dyshohet se ishte pjesë e grupit prej 10 personash që u shpall në kërkim pasi ndaj helikopterit të policisë që kishte shkuar në zonë u qëllua me armë.