Një grua shqiptare është vrarë në mes të rrugës teksa po kthehej nga puna në provincën Casterlfiorentino të Firences në Itali.
Ngjarja e rëndë është shënuar rreth orës 20:00 të enjten e 28 shtatorit 2023. Mediat italiane kanë identifikuar viktimën si Klodiana Vefa, 35 vjeçe me leje të rregullt qëndrimi.
Vrasja ndodhi në një rrugën ‘Galvani’. Kanë qenë disa rezidentë të zonës që njoftuan për vrasjen pasi dëgjuan të shtëna me armë. Mjekët e ndihmës së shpejtë nuk mund të bënin asgjë por vetëm të konfirmonin vdekjen e 35 vjeçares shqiptare.
Sipas të dhënave të para Klodiana Vefa është pritur në rrugë nga një person (burrë). Nuk dihet nëse ka pasur debat mes autorit dhe viktimës përpara se të ndodhte krimi por ajo që dihet është se burri ka nxjerrë pistoletën dhe ka vrarë 35 vjeçaren me plumb në kokë.
Kemi të bëjmë me një ekzekutim të vërtetë, kjo sipas të dhënave të para hetimore. Policia është në kërkim të ish bashkëshortit të gruas, që rezulton të jetë zhdukur dhe nuk bashkëjetonte me viktimën.
Klodiana Vefa nuk ishte ndarë ligjërisht nga bashkëshorti, gjithashtu shqiptar, por së fundmi mes çiftit kishte pasur mosmarrëveshje dhe duket se burri nuk jetonte më në të njëjtën shtëpi. Klodiana Vefa punonte si kamariere në një piceri dhe ishte integruar në komunitetin e Castelfiorentino.
Policia ka nisur të marrë dëshmitë e para ndër ta dhe të dy fëmijëve të viktimës, një djali 17 dhe një vajze 14 vjeçare. Njëri prej tyre ka treguar se mes të ëmës së tij dhe të atit në të kaluarën ka pasur dhe konflikte, shkruan corriere.it
Policia ka ngritur pika kontrolli për arrestimin e autorit, ndërsa po kontrollohen dhe banesat e braktisura por ende nuk është rënë në gjurmët e autorit.