Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka dorëzuar zyrtarisht në Bashki kërkesën për llogaridhënie drejtuar Erion Veliaj për çështjen e taksës mbi infrastrukturën arsimore
Blushi deklaroi ditën e sotme se ka shtatë vite që kjo taksë paguhet rregullisht dhe në dhjetor të vitit të kaluar, në fshehtësi të plotë, pagesa e saj u shty edhe për tre vitet e ardhshme nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa dhënë asnjë sqarim publik.
Ai i ka drejtuar 16 pyetje dhe thekson se qytetarët dhe bizneset, të cilët vetëm në vitin 2022 paguan rreth 760 milionë lekë të reja taksa mbi infrastrukturën arsimore, meritojnë transparencë: Pse shkollat e premtuara nuk u ndërtuan?
DEKLARATA E PLOTË
“Nisur nga mungesa e theksuar e transparencës mbi mënyrën e shpenzimit të të ardhurave nga taksa për infrastrukturën arsimore, si dhe nga fakti se objektivi i vendosur për ndërtimin e 17 shkollave të reja me PPP nuk u realizua kurrë plotësisht, kam depozituar zyrtarisht në Bashkinë e Tiranës kërkesën për llogaridhënie drejtuar Kryebashkiakut, Erion Veliaj.
Në mbështetje të Kushtetutës, ligjit “Për të drejtën e informimit”, ligjit “Për vetëqeverisjen vendore” dhe të Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies, nisur edhe nga investigimet serioze në media dhe shqetësimet e shprehura nga ekspertë të fushës sa i përket mënyrës së përdorimit nga Bashkia e Tiranës të të ardhurave nga taksa mbi infrastrukturën e arsimit, kam kërkuar zyrtarisht nga Kryebashkiaku Veliaj transparencë të plotë sa i përket:
- Vendimin Nr.59 të Këshillit Bashkiak Tiranë, datë 30.12.2015, si dhe vënien në dispozicion të vendimit Nr.139 të Këshillit Bashkiak të Tiranës, datë 23.12.2022, në lidhje me “Taksën mbi infrastrukturën arsimore”, së bashku me relacionet shoqëruese.
- A është në përputhje me Kushtetutën vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës, datë 23.12.2022 dhe mbështetur mbi cilat argumente është miratuar?
- A është konsultuar rivendosja e kësaj takse me grupet e interesit, qytetarë, biznese, shoqëri civile?
- Pse propozuat shtyrjen e afatit të kësaj takse dhe a parashikohet të zgjasë edhe më shumë se tre vitet e ardhshme?
- Sa ka qenë të ardhurat vit pas viti, nga viti 2016 deri në gjysmën e parë të vitit 2023, nga taksa mbi infrastrukturën arsimore, të ndarë sipas zërave, për kategoritë “familjarë” dhe “biznese”?
- Sa përqind e taksave së mbledhur mbi infrastrukturën arsimore është përdorur për investime në ndërtimin e shkollave të reja?
- A është përdorur fondi i mbledhur nga taksa mbi infrastrukturën arsimore për investime apo blerje të tjera, veç ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave?
- Kërkoj vënien në dispozicion të planit 3-vjeçar të investimeve në programin e shërbimeve të arsimit bazë dhe parashkollor.
- A është realizuar objektivi i shprehur publikisht nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për ndërtimin e 17 shkollave të reja përmes skemës së “Partneritetit Publik Privat”?
- Nëse nuk është realizuar ky objektiv, cilat kanë qenë arsyet?
- Sa shkolla të reja janë ndërtuar përmes skemës së “Partneritetit Publik Privat”?
- A janë audituar ndonjëherë këto kontrata dhe nga kush autoritet shtetëror? Nëse po, a janë konstatuar problematika?
- Vënien në dispozicion të të gjithë kontratave të realizuara sipas skemës së “Partneritetit Publik Privat” për ndërtimin e shkollave dhe kopshteve të reja.
- A parashikohet ndërtimi i shkollave të reja deri në vitin 2025 nëpërmjet taksës së mbledhur mbi infrastrukturën arsimore apo vetëm rikonstruktim i shkollave ekzistuese?
- Cilat janë shkollat ekzistuese që kanë nevojë për rikonstruktim dhe sa është vlera e parashikuar e rikonstruktimit?
- A janë përdorur fondet e grumbulluara nga taksa mbi infrastrukturën arsimore në funksion të pagesës shtesë të miratuar së fundmi në Këshillin Bashkiak të Tiranës për inceneratorin inekzistent dhe në sekuestro të Tiranës?
Këto janë 16 pyetjet të cilat i kam adresuar zyrtarisht për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe të cilat presin përgjigje nga të gjithë qytetarët dhe bizneset e kryeqytetit.
Ka shtatë vite që kjo taksë paguhet rregullisht dhe në dhjetor të vitit të kaluar, në fshehtësi të plotë, pagesa e saj u shty edhe për tre vitet e ardhshme nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa dhënë asnjë sqarim publik.
Qytetarët dhe bizneset, të cilët vetëm në vitin 2022 paguan rreth 760 milionë lekë të reja taksa mbi infrastrukturën arsimore, meritojnë transparencë: Pse shkollat e premtuara nuk u ndërtuan?
Në kushtet e “territ informativ” dhe mosrespektit të plotë të dëshmuar prej 7 vitesh ndaj qytetarëve të Tiranës, tani është koha për llogaridhënie: Ku kanë përfunduar taksat”? ka deklaruar Blushi.