Vendosni fjalën kyçe....

Tentuan të përfitonin para nga një biznesmen duke u hequr si përfaqësues të një zyrtari, arrestohen 4 persona, shpallen në kërkim 2 të tjerë


Policia ka arrestuar katër persona me dyshimet se tentuan të përfitonin një shumë të madhe parash nga një biznesmen duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror.

Gjithashtu u shpallën në kërkim 2 shtetas të tjerë, njëri prej tyre i dyshuar organizator i kësaj skeme mashtrimi.

Nga operacioni policia sekuestroi 2 automjete dhe 6 celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë dhe DVP Elbasan, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fraud”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një biznesmen, për të përfituar shumën 70 000 euro.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve Xh. Xh., 24 vjeç, L. Xh., 39 vjeç, M. P., 30 vjeç, të tre banues në Elbasan, dhe P. F., 51 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Xh. Q., 27 vjeç, banues në Elbasan, dhe F. Gj., 40 vjeç, banues në Shkodër.

Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), për të përfituar shumën 70 000 euro, duke u prezantuar si përfaqësues të një zyrtari shtetëror. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete dhe 6 aparate celulare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia