Vendosni fjalën kyçe....

Tregu i punës sinjale pozitive për personat me arsim të ulët, ulet papunësia dhe rriten pagat


Tregu i punës ka dhënë sinjale pozitive vitet e fundit në drejtim të uljes së papunësisë, por për personat me arsim të ulët po tregon fleksibilitet më të lartë.

Të dhënat e INSTAT referojnë se në tremujorin e dytë të vitit 2023 papunësia tek personat me arsim 9-vjeçar shënoi rënien më të lartë se në grupet e tjera të papunëve me arsim të mesëm dhe të lartë.

Konkretisht shkalla e papunësisë në personat me arsim 9-vjecar arriti ne 9.3 % në prill-qershor 2023 me rënie 1 pikë përqindje nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Në të kundërt shkalla e papunësisë tek personat me arsim të mesëm arriti në 12.7 për qind me një rritje vjetore 0.3 përqindje.

Tek personat me arsim të lartë shkalla e papunësisë arriti në 9.8% në tremujorin e dytë të vitit aktual me rënie vjetore 0.7%.

Përgjithësisht tregu i punës në vendin është më efektiv ndaj personave të paarsimuar. Ekonomia shqiptare ende bazohet tek një model që shfrytëzon krahun e punës me çmim të lirë. Industria përpunuese, bujqësia, ndërtimi etj që janë punëdhënës të mëdhenj nuk e kanë arsimin për kriter në politikat e punësimit për shumicën e nevojave.

Nga 20 vendet në zhvillim të Europës, Turqia dhe Shqipëria renditen të parat për fuqinë e madhe punëtore me nivel të ulët të arsimit.

Në rajonin e Ballkanit, Serbia dhe Mali i Zi kanë përqindjet më të larta të forcës së punës me arsim të lartë. Serbia dhe Bosnja, nga ana tjetër, kanë përqindjen më të madhe të fuqisë punëtore me arsim të mesëm dhe për rrjedhojë, kanë më pak popullsi në moshë pune me arsim fillor. Në një krahasim më të gjerë të 20 vendeve në zhvillim të Europës shihet se Çekia dhe Sllovakia janë vendet që rreth 70% të forcës së punës e kanë me arsim të mesëm.

Sistemi arsimor dhe tregu i punës prej vitesh janë në një rreth vicioz, teksa bizneset akuzojnë qeverinë se nuk po përgjigjet me sisteme arsimore që i vlejnë tregut të punës. Nga ana tjetër në qarqet universitarë profesorët mendojnë se bizneset shqiptare nuk po zhvillojnë degë të ekonomisë që kërkojnë kualifikim të lartë.

P.sh. degët që kanë lidhje me bujqësinë kanë numrin më të ulët të nxënësve dhe studentëve, ndërkohë sektori është ofruesi më i madh i punësimit në vend me rreth 40 % të totalit.

Profesionet e ulët kanë dhe rritjen më të lartë të pagave, ngushtohet hendeku me nivelet e larta drejtuese

Në rrugët e kryeqytetit gjen rëndom njoftime për kamerierë, pastrues, ku ofrohen paga mbi 40 mijë lekë neto, apo punonjës lavazhi me 80 mijë lekë e bukëpjekës me mbi 100 mijë lekë në muaj.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se pagat janë rritur me ritme më të shpejta për profesione që nuk kërkojnë kualifikim të lartë si “Punonjës të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit”, “Punëtorë (Profesione elementare)”, “Punonjës të montimit dhe përdorimit të makinerive dhe pajisjeve”, të cilat në vlerë nominale në fund të tremujorit të dytë 2023 ishin mbi 30% më të larta sesa në tremujorin e dytë 2021, kur me mbarimin e pandemisë filloi të ndihej më shumë mungesa e fuqisë punëtore. Për të njëjtën periudhë paga mesatare në ekonomi u rrit me 25%, ndërsa paga për “Manaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” shënoi dhe zgjerimin më të ulët me 18%, e ndjekur nga “Specialistë me arsim të lartë (profesionistë)”, me 21%. (shiko grafikun: Ndryshimi nominal i pagave sipas grup profesioneve T II 2023/T II 2021)

Rritja më e shpejtë e pagave të ulëta në raport me atë të drejtuesve ka ngushtuar ndjeshëm dhe hendekun mes të ardhurave të drejtuesve e specialistëve me arsim të lartë dhe profesioneve të pakualifikuara.

Psh, në tremujorin e dytë 2021, paga mesatare bruto për grup profesionin “Manaxherë, Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” ishte 98,823 lekë/muaj dhe ajo për “Punëtorë (Profesione elementare)”, ishte 34,747 lekë. Një drejtues paguhej mesatarisht 184% më shumë se një punëtor.

Në fund të tremujorit të dytë 2023, një drejtues paguhet me 116,627 lekë/muaj dhe një punëtor me 46,387. Hendeku është ngushtuar, teksa drejtuesi tashmë merr 151% më shumë se punëtori i pakualifikuar nga 184% më shumë që paguhej dy vjet më parë.

Burimi: INSTAT, përpunime të Monitor

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor