Një vajzë 14-vjeçare humbi jetën sot në Britani kur autobusi i shkollës me të cilin po udhëtonte, goditi një ndarës dhe u përmbys në autostradën M53 në Merseyside, në Anglinë veriperëndimore.
Nga aksidenti i tmerrshëm trafiku mbeti i vdekur edhe drejtuesi i autobusit, ndërsa 50 studentë të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spitalet e zonës.
Prej tyre, 13 janë ende të shtruar në spital, nga të cilët 2 fëmijë janë në gjendje të rëndë.
Në autobus ishin nxënës të dy shkollave, sipas BBC.
Në vendngjarje kanë shkuar dhjetëra autoambulanca dhe rruga është bllokuar për orë të tëra.