Vendosni fjalën kyçe....

Vrasjet në Shkodër, policia zbardh dy prej tyre


Policia e Shkodrës ka njoftuar zbardhjen e dy ngjarjeve të ndodhura së fundmi në këtë qar që  rezultuan në vrasjen e dy personave dhe plagosjen e një tjetri.

Lidhur me ngjarjen ku u vra shtetasi Valter Fjerza në Hot të Ri nga hetimet është arrestuar një person dhe u shpall në kërkim një tjetër.

“Si rezultat i angazhimit dhe reagimit të menjëhershëm të strukturave policore, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 22.09.2023, në rrethinat e Shkodrës, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, ku u vra me armë zjarri shtetasi Valter Fjerza.

Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, është bërë i mundur dokumentimi i kësaj ngjarjeje, për të cilën është arrestuar 1 shtetas dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë”-deklaroi Policia.

Ndërsa për vrasjen ku u vra Zef Guri dhe u plagos djali i tij Gjin Guri, nga hetimet e deritanishme dyshohet se autor është Gjovalin Guri i shpallur në kërkim edhe për vepra të tjera penale.

Dyshohet se shkak për këtë ngjarje kanë qenë konfliktet dhe kanosjet për shfrytëzimin e sipërfaqeve pyjore.

Për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, rreth orës 18:20, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit, ku u vra me armë zjarri shtetasi Zef Guri, 73 vjeç dhe u plagos rëndë djali i tij, shtetasi Gjin Guri, të cilët po udhëtonin me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Gjovalin Guri, i cili është shpallur në kërkim nga DVP Shkodër edhe për vepra të tjera penale.

Motivet e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme me palën e dëmtuar, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë.

Për kapjen e shtetasit Gjovalin Guri, janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit.

-Ndërkohë, në Malësi të Madhe, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 27.09.2023, ku rreth orës 21:50, u plagos me armë zjarri shtetasi E.G., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Falë reagimit në kohë të shërbimeve policore dhe veprimeve hetimore profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar, shtetasve I. B. dhe S. B. (babë e bir), për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Në kuadër të parandalimit, mbrëmjen e djeshme, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të një konflikti midis dy shtetasve. Si rezultat i reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë u vu në pranga shtetasi A. L., 39 vjeç, i cili qëlloi me armë zjarri në drejtim të një automjeti të parkuar, në përdorim nga shtetasi E. P. Në momentin e arrestimit, 39-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Grupet e posaçme hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve kriminale”-njofton policia.