Vendosni fjalën kyçe....

Kosova thirrje Serbisë: Hiq trupat nga kufiri, demilitarizo e mbyll 48 bazat ushtarake e 20 bazat e xhandarmërisë


Qeveria e Kosovës në një reagim të shtunën në mbrëmje ka kërkuar nga Serbia tërheqjen e menjëhershme të të gjitha trupave ushtarake nga kufiri.

Në reagim bëhet e ditur se Serbia ka vendosur kapacitetet ushtarake në 48 bazat e përparme afër kufirit me Kosovën dhe se në to janë vendosur edhe sistemet kundërajrore e artileria e rëndë.

Qeveria ka thënë se po përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet.

“Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga qeveria, shkruan Koha.

“Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.” – vijon qëndrimi.

Po kështu në njoftimin zyrtar i bëhet thirrje krerëve të shtetit serb që të tërheqin trupat, të mbyllin e demilitarizojnë 48 bazat e përparme ushtarake si dhe 20 bazat e xhandarmësirë qe paraqesin  kërcënim për Kosovën.

“I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiq dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm”, thuhet në thirrjen e Qeverisë së Kosovës.

Pas sulmit në Banjskë, sipas Prishtinës, ky veprim i Serbisë është hapi i radhës kërcënues ndaj integritetit territorial të Kosovës.

“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë.” – vijon reagimi.

Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar që kur më 24 shtator, polici Afrim Bunjaku u vra në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur serb. Në një aksion pasues, nga përplasja e Policisë me grupin e armatosur mbetën të vrarë tre sulmues.

Për rastin u arrestuan tetë persona, katër prej të cilëve u liruan. Të premten, përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Në aksion është kapur arsenal armësh.

Serbia pati dislokuar ushtrinë përgjatë kufirit me Kosovën dhe menjëherë ka nxitur reagimet e ndërkombëtarëve që i kanë kërkuar largimin. Të shtunën janë vënë re lëvizje tërheqëse, por ende s’ka zyrtarizim.