Vendosni fjalën kyçe....

Përkeqësohet zjarri në Pishporo, zjarrfikësit dërgohen pranë qendrave të banuara


Është përkeqësuar situata e zjarrit në masivin me pisha në Pishporo në Fier. Sot në mëngjes, në ditën e katërt të djegies operacioni ka nisur sërish që prej orës 7.00 me 40 efektivë të FA të repartit të Poshnjes, 3 mjete zjarrfikëse dhe 25 punonjës mjedisi.

Dje, rreth orës 16:00, për shkak të pamundësisë për të operuar më thellë, trupat e Forcave të Armatosura u tërhoqën.

Por, rreth orës 18:00, për shkak të shtimit të intensitetit të erës situata e zjarrit doli jashtë kontrollit.

Në këto kushte, duke vlerësuar rreziqet e mundshme u kërkua angazhimi i shërbimeve  të MZSH nga Lushnja, Divjaka, Patosi, Roskoveci si dhe nga kompania Albetrol sh.a. 

Në total, 8 mjete dhe 45 efektivët operuan në terren deri në orën 24:00. Më pas, 5 mjete zjarrfikëse dhe efektivët e tyre u tërhoqën për pamundësi ndërhyrjeje.

Për monitorimin e situatës qëndruan për gjatë gjithë natës, pranë zonave të banuara, tre mjete zjarrfikëse me efektivët përkatës.